
Zbardhen detaje nga dosja italiane që goditi organizatën shqiptare të trafikut ndërkombëtar të drogës me bazë në Durrës – në qendër të skemës: Adi Çoba, i njohur si “Bisha”
Janë bërë publike pjesë të dosjes së Prokurorisë Antimafia të Barit, që çuan në ekzekutimin e 52 masave sigurie në kuadër të operacionit të koduar “URA”, zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve italiane dhe SPAK-ut shqiptar. Në qendër të hetimit është një organizatë kriminale me bazë në Durrës dhe shtrirje ndërkombëtare, që merrej me trafikun e sasive të mëdha të kokainës dhe heroinës nga Shqipëria dhe Holanda drejt Italisë dhe vendeve të tjera të BE-së.
Mes të arrestuarve janë edhe krerët e një familjeje të fuqishme në qytetin e Durrësit, një komandant dhe një efektiv i Policisë së Shtetit, një avokat si dhe 6 drejtues autobusësh që punonin në linja ndërkombëtare.
Ndërhyrja nuk çoi vetëm në kapjen e 52 të akuzuarve, por edhe në sekuestrimin e 9 apartamenteve, 4 shoqërive tregtare, 7 llogarive bankare dhe 3 automjeteve në Itali, si dhe 2 kompanive ndërtimi, 4 restoranteve luksoze, një agjencie imobiliare dhe një stacioni televiziv në Shqipëri, Vlora Cable.
Masat e sigurisë kanë përfshirë 12 shtetas italianë dhe 40 shtetas shqiptarë, nga të cilët 49 janë vendosur në burg, 1 në arrest shtëpie dhe 2 me detyrim paraqitjeje në Policinë Gjyqësore.
Sipas dosjes hetimore italiane, drejtues i këtij grupi kriminal rezulton të jetë Adi Çoba, i identifikuar edhe me pseudonimin “Bisha”, i cili drejtonte aktivitetin nga Shqipëria, duke komanduar dhe koordinuar veprimet e anëtarëve shqiptarë dhe italianë të organizatës. Ai siguronte lëndët narkotike dhe dërgonte korrierë në Itali përmes linjave ndërkombëtare të transportit rrugor.
Dosja mbështetet në dëshmitë e tre të penduarve të drejtësisë, ku një prej tyre është edhe Nuredin Dumani, që ka ndihmuar në zbardhjen e strukturës dhe rolit të secilit pjesëtar të organizatës. Dumani ka treguar se, krahas Çobës, një rol të rëndësishëm ka pasur edhe Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, nipi i Xhevdet Troplinit, i identifikuar në qarqet kriminale si “Poja”. Sipas Dumanit, Doçi dhe Troplini kishin pozita të larta në kontekstin kriminal shqiptar dhe bashkëpunonin ngushtësisht me rrjetin ndërkombëtar.
Në dosje thuhet se Adi Çoba, në cilësinë e drejtuesit dhe organizatorit të grupit kriminal, organizonte dërgimin e korrierëve drejt Italisë me sasi të mëdha heroine dhe kokaine, të furnizuara nga Shqipëria dhe Holanda, duke përdorur rrjetin e anëtarëve të shoqatës.
Të përfshirë në këtë rrjet dhe të përmendur në dosje janë edhe:
Ergiels Prezi
Massimiliano Fiore
Agron Ganaj
Nuredin Kiptiu
Andrea Buonsanto
Giovanni Montedoro
Të gjithë këta, sipas dokumentit, kishin role të qarta në ruajtjen, shpërndarjen dhe shitjen e drogës, si dhe në marrjen dhe logjistikën e ngarkesave në portet e Shqipërisë dhe Holandës, për t’i shpërndarë më pas në Itali.
Ndërkohë, personat Michele Sterlicchio, Giovanni Zanzarelli, Francesca Caputi dhe Luisa Mazzuti, përveç përfshirjes aktive në mbështetjen e strukturës kriminale dhe përfitimeve direkte nga aktiviteti i saj, ndihmonin në ruajtjen dhe përpunimin e drogës dhe vepronin si pika mbështetjeje në territorin e Barit, Brindisit dhe Leçes.
Në dosje përmendet gjithashtu se të gjithë të pandehurit mbështeteshin në bashkëpunimin e korrierëve shqiptarë, të cilët, duke qenë të vetëdijshëm për paligjshmërinë e ngarkesave, transportonin drogën e fortë drejt Italisë përmes linjave të rregullta ndërkombëtare. Ata përfitonin gjithashtu nga bashkëpunimi me grupe të tjera kriminale të organizuara që vepronin në Gjermani, Belgjikë, Holandë dhe Itali.
Në përgjimet e përfshira në dosje, Adi Çoba përmendet në mënyrë të përsëritur me nofkën “Bisha”, ndërsa në qytetin e Durrësit atij i është sekuestruar edhe lokali “Felix Vinum”, i dyshuar si një ndër pikat e logjistikës dhe pastrimit të parave të rrjetit.
Masat e sigurisë ndaj 12 shtetasve italianë dhe 40 shtetasve shqiptarë, nga të cilët 49 janë vendosur në burg, 1 në arrest shtëpie dhe 2 me detyrim paraqitjeje në Policinë Gjyqësore, janë ekzekutuar në kuadër të një urdhër-arresti ndërkombëtar në qytetet e Shqipërisë: Durrës, Shkodër, Tiranë, Fier dhe Vlorë; në Itali: Bari dhe rrethina, Oria (Brindisi), Matera, Frosinone, Torino, Cosenza, Trento, Como, Cremona dhe Pomezia (Roma), si dhe në Belgjikë.