Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka propozuar sot në komisionin e Çështjeve Ligjore një projektligj për Mbrojtjen e Tokës. Braçe tha se gjatë periudhës nga data 1 prill deri në 30 nëntor të secilit vit të ndalohet ndezja e zjarreve për çdo lloj arsye.
Ndërsa, në periudhën tjetër pra nga 1 dhjetori deri në 30 mars projektligji propozon disa mënyra se si mund të kryhet procesi i djegies, ku mund të merret leje.
“Ky projektligj kërkon që në periudhën nga data 1 prill deri në datën 30 nëntor të çdo viti, periudhë e cila mund të rishihet, për shkak të ndryshimeve klimatike, të ndalohet djegia e tokës dhe e mbetjeve të krijuara.
Po shkaktohen zjarre masive për shkak se nuk pyetet askund dhe nuk merret leje askund dhe sistemet tona të shuarjes së zjarrit janë thuajse të mangëta në fshatra. Është shumë e rëndësishme që ne të kemi një periudhë të ndezjes së zjarreve.
Në periudhën tjetër, nga 1 dhjetor deri 30 mars, projektligji propozon disa mënyra sesi mund të kryhet ky proces, se ku mund të merret leje, ku përfshihet edhe largësia e nevojshme që duhet të jetë për të ndezur zjarre për djegiet e mbetjeve të tokës, kur jepet leja”, u shpreh Braçe për projektligjin i cili mori mbështetje edhe nga deputetët e opozitës.