Operacioni “Shigjeta” – kulmi i luftës së UÇK-së

Editor
10 Min Read

Më datë 26 maj 2024, u përkujtua 25 vjetori i Operacionit “Shigjeta” të UÇK-së (e njohur edhe si Beteja e Pashtrikut), Drejtimi Operativ 2. Pas homazheve në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, në lapidarin e dëshmorëve në Kuzhnin të Hasit dhe në kompleksin e dëshmorëve në Gorozhup, në orën 12:00 u zhvillua ceremonia qendrore në Shtëpinë e Kulturës në Gjonaj të Hasit. Dhjetëra qindra ishin pjesëmarrësit në këtë ceremoni: ish-udhëheqës të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfshirë ish-komandantin Fatmir Limaj, drejtuesi i operacionit gjeneral Bislim Zyrapi njëherësh, komandanti i brigadës Bilall Syla, gjeneral Musa Jashari, drejtues të pushteti vendor, ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë që kontribuuan në drejtimin apo përgatitjen e luftëtarëve të UÇK-së, ish-luftëtarë dhe familjarë të tyre, familjarë të dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës, qytetarë të shumtë të rajonit të Hasit. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe një delegacion mik ushtarakësh veteranë nga Kroacia.

Operacioni “Shigjeta” – kulmi i luftës së

Fjalën e rastit e mbajti komandanti i Operacionit “Shigjeta”, gjeneral Bislim Zyrapi. Ai theksoi se me këtë operacion i treguam botës se kush janë dhe çfarë janë shqiptarët. Se ky operacion, si beteja kryesore e UÇK-së, gjunjëzoi Serbinë dhe e detyroi kasapin e Ballkanit, S. Milosheviçin, të nënshkruaj marrëveshjen e kapitullimit në Kumanovë. 

Në fjalën e tij përshëndetëse, ish-zëvendësministri i Mbrojtjes i Kosovës gjatë luftës, z. Fatmir Limaj, vlerësoi betejën e Pashtrikut si kulmi i luftës çlirimtare të UÇK-së, betejën vendimtare të luftës për lirinë e Kosovës, duke kaluar nga faza e taktikës guerile në fazën e luftës frontale.

Në ceremoni u ndanë pllakata dhe certifikata mirënjohje çlirimtarëve dhe kontribuuesve në luftën e lavdishme për lirinë e Kosovës.

Beteja e Pashtrikut

Beteja e Pashtrikut (Operacioni “Shigjeta”) u zhvillua nga 26 maj 1999 deri më 10 qershor 1999. Ajo ishte beteja më e rëndësishme nga 30 betejat, sulmet dhe operacionet që zhvilloi UÇK-së, mbështetur nga NATO dhe ushtria shqiptare kundër Ushtrisë Serbe. Qëllimi politik i këtij Operacioni ishte sigurimi i një fitore ushtarake dhe nisja e sulmit tokësor të NATO-s dhe UÇK-së për çlirimin e Kosovës nga thundra e Serbisë.

Që nga 24 marsi 1999, aeroplanët e NATO-s, duke kryer mesatarisht 600-650 fluturime në ditë, sulmonin pandërprerë objektet ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe brenda territorit të Serbisë, duke synuar shkatërrimin e logjistikës së saj edhe ekonominë, por kursyer civilët serbë, me qëllim tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova. Nga Serbia askush nuk u largua, ndërsa më shumë se gjysma e Kosovës ishte zbrazur.

Operacioni “Shigjeta” – kulmi i luftës së

Ushtria dhe policia serbe, pasi kishte rrahur, vrarë dhe dëbuar me forcë nga popullsinë e fshatrave Gorozhup, Milaj, Gjonaj dhe Pllaneja në shpatet e Malit të Pashtrikut, kishte vendosur në atë frontin Koshare – Gjonaj forca të shumta të zgjedhura, të cilat ndihmoheshin nga qindra mercenarë rus.

Ishte koha kur Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton kishte paralajmëruar regjimin e S. Milosheviçit, në rast se nuk i pranon pesë kërkesat e parashtruara nga NATO-ja për t`i dhënë fund luftimeve dhe tërheqjes së forcave të tij nga Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërhynin me 150 mijë forca tokësore. Ndërsa kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, znj. Luiz Arbour, kishte ngritur padi kundër kryekriminelit serb S. Milosheviç, të cilin e akuzoi për krime lufte, gjenocid dhe spastrim etnik.

Përgatitja dhe organizimi i Operacionit

Një operacion të tillë operativo-strategjik e kërkonte koha dhe zhvillimet luftarake të UÇK-së e në terren brenda Kosovës. Planin e Operacionit “Shigjeta” e ideoi dhe hartoi Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së që në mesin e muajit prill 1999. Në aspektin ushtarak, qëllimi i këtij Operacioni ishte asgjwsimi i forcave të ushtrisë serbe në afwrsi tw brezit me kufirin me Shqipërinë, depërtimi sa më shpejt i forcave tona në thellësi të territorit të Kosovës dhe krijimi e mbajtja e korridorit përmes lumit Drini i Bardhë dhe malit të Pashtrikut për kalimin e sigurt të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria në Kosovë, pasi ishin vështirësuar rrugët e kalimit dhe furnizimit të UÇK-së.

Luftëtarët e UÇK-së u përgatitën në qendra stërvitore nga ushtarakët e Forcave të Armatosura Shqiptare si Kolsh, Kalimash, Feken (Tiranë), Mollëz (Burrel), Helshan, Vlahnë, Cahan dhe u pajisën me armë prej tyre dhe agjencitë perëndimore. Ata tashmë ishin një forcë e organizuar, e përgatitur dhe e pajisur për luftim të rregullt në front, çfarë mundësonte zhvillimin e Operacionit “Shigjeta”.  

Operacioni “Shigjeta” kishte tre drejtime taktike: nr. 1 – Kosharja, nr. 2. – Pashtriku dhe nr. 3 – Koritniku. Ai shtrihej përgjatë vijës kufitare nga Kosharja në Korintik.

Në atë operacion u angazhuan 8 000 forca të UÇK-së.

Zhvillimi i luftimit

Luftimet në drejtimin taktik nr. 1 – Kosharja, siç njihet beteja e Koshares, kishin filluar që më 9 prill 1999, ku forcat e UCK-së, me goditje të fuqishme larguan forcave armike nga kufiri shtetëror, duke krijuar kushte për kalim të sigurt të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria në Kosovë.

Luftimet në drejtimin taktik nr. 2 – Pashtriku, filluan më 26 maj 1999. Në orën 04:00 të mëngjesit, UÇK-ja sulmoi në gjithë frontin e këtij drejtimi mbështetur nga breshëri zjarri të Ushtrisë Shqiptare dhe mbështetja ajrore e NATO-s. Forcat e UÇK-së shpejt kaluan forcat serbe në kufi dhe u futën në territorin e Kosovës përballë forcave operacionale serbe, të cilët u futën në luftim dhe përgjigjën sulmit me avionë dhe mortaja. Breshëritë e zjarrit të forcave serbe në rrugët që të çonin në mal ngadalësuan përparimin e të UÇK-së në thellësi, ndërsa luftimet vazhdonin në vendbanimet kufitare.

Meqenëse artileria serbe sulmonte linjat e furnizimit të UÇK-së brenda Shqipërisë, NATO-s shtoi sulmet ajrore në ditët në vijim. Vetëm më 1 qershor, avionët e NATO-s hodhën rreth 150 bomba në objektivat e Ushtrisë Serbe, duke goditur 32 topa artilerie, 9 transportues të blinduar personeli, 6 automjete të blinduara, 4 automjete të tjera ushtarake, 8 pozicione mortaje dhe një raketë tokë-ajër SA6. Megjithatë forcat e UÇK-së kishin arritur një ngërç.

Me frikën se Ushtria Serbe po organizonte një kundërsulm, me të cilin mund të rimerrnin pozicionet e humbura, NATO shtoi fushatën e tyre të bombardimeve. Sipas gazetares amerikane Diana, komandanti i trupave të NATO-s, Gjenerali Ëesley Clark u tha oficerëve të tij: “Ai mal (Pashtriku – shën. im) nuk duhet të humbitet. Unë nuk dua të kem serbë në atë mal. Ne do të paguajmë për atë kodër me gjak amerikan nëse nuk e ndihmojmë UÇK-në.” Ushtria Jugosllave iu përgjigj bombardimeve të NATO-s, duke goditur me artileri vendbanimet në kufi me Shqipërinë, përfshirë vendbanimet Pergolaj, Golaj dhe Krumë. Këto sulme nuk goditën asnjë civil, por rritën fluksin e refugjatëve në Kukës dhe ushtruan presion mbi administratën. Shqipëria iu përgjigj kësaj duke mobilizuar ushtrinë e saj në kufi dhe duke zhvilluar një stërvitje të zjarrit të profilit të lartë.

Më 6 qershor, Ushtria Serbe nisi një kundërsulm afër fshatit Pllaneja. Ndërsa ushtarët serbë përparuan drejt Pllanejës, ata u goditën nga 82 bomba metalike të drejtuara M-82 nga avionë të modelit amerikan B-52 dhe B-1B. Më 7 qershor, bombardimet dhe luftimet vazhduan rreth malit Pashtrik. Më 9 qershor, Ushtria Serbe u tërhoq nga Pashtriku.

Forcat e UÇK-së u mbështetën në këtë operacion në frontin tokësor nga zjarri i tankeve dhe artilerisë të Ushtrisë Shqiptare dhe nga forcat e NATO-s nga ajri. Gjithashtu forcat e UÇK-së brenda Kosovës, të përgatitura nga Shtabi i Përgjithshëm, i dhanë goditje të fuqishme forcave armike.

Në drejtimin taktik nr. 3, – Koritniku, nuk u zhvilluan luftime, për shkak se Kosova u çlirua.

Pasojat

Operacioni “Shigjeta” arriti objektivin e saj operativ. Ai ishte grushti dërmues i UÇK-së dhe NATO-s, i cili nënshtroi i Ushtrinë Jugosllave dhe detyroi S. Millosheviçin për të nënshkruar Marrëveshjen e Kumanovës për tërheqjen e të gjitha forcave jugosllave nga Kosova.

Trupat tokësorë të NATO-s u futën në Kosovë për të marrë kontrollin e territorit dhe garantuar zbatimin e marrëveshjes. 

Kosova u çlirua nga pushtuesi shekullor – Serbia.

Share This Article
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: J.i.L.al
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *