JiL.al - Jeto i Lumtur

Ujku Jorgo Papingji

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

UJKU ; Jorgo Papingji

Dy shqiptarë të “mençur” u grindën një ditë
Me shqelma, me grushta godit e godit.
U shanë e u rrahën, ç’je ti e ç’jam unë
Nga vëndi ku rrinin të dy u vërsulnë.

Me flokët përpjetë, me thonjtë në fyt
Njeriu njeriun kërkon që ta mbytë.
Kërkon t’i marrë jetën, të gjallë ta hajë,
Kërkon ta vrasë natën, e ditën ta qajë.

Jo kjo është jotja, jo kjo është imja
Të ndahet edhe trau, të ndahet edhe qimja.
Me sy të përflakur,në kokë hipën gjaku
Këtë ma la gjyshja…këtë ma la plaku.

E kalon aty pranë një ujk i uritur,
E ndal vrapin ujku, u thotë i çuditur:
“Ju dija të mençur, ju dija të zgjuar
Edhe kafshët urtinë nga ju kanë mësuar.

Po ndaluni djema! Pse ziheni? Mosni..!!
Kur rrugës kalova kujtova se lozni
Dhe desha tu haja, por tani s’kam ç’ju dua
Se ju qënkeni ujqër, më ujqër se mua..!”

[ Jorgo Papingji ]

Jeto I Lumtur.al

Scroll to Top