Talo Çela është kthyer në kryefjalën e operacioneve të njëpasnjëshme të Policisë së Shtetit në Elbasan dhe në të gjithë vendin.
I konsideruar si një prej personave më të rrezikshëm në vend, të cilit iu kanë faturuar një mori vrasjesh, plagosjesh, atentatesh e grabitjesh me armë, Talo Çela, i shpallur në kërkim prej vitesh, u rishpall në kërkim me rastin e dëshmisë së Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhës.
Në fakt, kundër tij ka qenë thuajse 90 për qind e dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili të gjitha ngjarjet e kryera me të, ia ka faturuar atij, jo vetëm aktet brutale të vrasjeve, por edhe ideimin dhe shpesh sigurimin e mjeteve të vrasjeve.
Duke qenë se Talo nuk u arrestua dot në momentin kur u ndërhy për të arrestuar të gjithë grupin e shpallur në kërkim me vendim të GJKKO-së, RENEA dhe grupe të ndryshme FNSH-je e rrethuan Elbasanin dhe rrethinat e tij disa herë pasi merrnin informacion se aty ishte i strehuar.
Sipas të dhënave, operacioni i së hënës mbrëma ka nisur në Peqin e deri në Belsh dhe Elbasan, por sërish Policia, si gjithnjë, nuk ka mundur të hasë në gjurmët e tij, duke ngritur dyshimet se bëhet fjalë për ndonjë dekonspirim në radhët e tyre, në mos brenda grupit, në atë të Policisë së Elbasanit.
Në fakt, gjatë atij operacioni që zgjati disa orë, u bënë një mori shoqërimesh dhe u bllokuan mjete luksoze, por pa u mbajtur askush në pranga pas verifikimit paraprak të Policisë.
Sipas të dhënave, bëhet me dije se edh orëve të vona të së mbrëmshmes, Policia ka nisur një operacion në një zonë periferike të Tiranës, ku sërish pretendohet se kërkohen gjurmët e Talo Çelës, por deri afër mesnatës, nuk është pikasur ndonjë person i dyshimtë apo që t‘i ngjasojë të shumëkërkuarit dhe të shumakuzuarit për vrasje e atentate të bujshme në vend!
OPERACIONI
Policia ka dalë duarbosh nga operacioni i radhës i kryer në Elbasan e Belsh për kapjen e Talo Çelës dhe disa personave të tjerë të kërkuar në këtë qark. Kontrollet që nisën pasditen e të hënës (25 korrik 2022) janë mbyllur me sekuestrimin e dhjetëra makinave luksoze, por pa arrestimin e personave të shumëkërkuar.
Efektivët e repartit RENEA, të cilët janë shoqëruar dhe nga strukturat e policisë kriminale, u rikthyen sërish për aksion e kontrolle në Elbasan mbrëmjen e së hënës (25 korrik 2022).
Dhjetëra kontrolle janë kryer në biznese, automjete dhe banesa, ku kishte dyshime për elementë kriminalë. Kontrolli ka nisur në orët e pasdites, duke vijuar deri në orët e vona të natës, ku janë bllokuar 13 makina luksoze të markave të ndryshme.
Automjetet po mbahen të bllokuara në Drejtorinë e Policisë Elbasan, ndërsa pritet që të verifikohet secila prej tyre mbi bazën e dokumentacionit dhe pronësisë.
Fokusi i Policisë kriminale dhe RENEA-s ka qenë dhe kontrolli i personave të targetuar me precedentë penalë, që lëvizin në qytetin e Elbasanit, të Cërrikut, Belshit dhe Peqinit. Jozyrtarisht, Policia thotë se objektiv i aksionit ka qenë kapja e Talo Çelës, personazh i shumëkërkuar, i cili u ka shpëtuar disa operacioneve radhazi. SHOQËRIMET Dhjetëra persona janë kontrolluar me qëllim kapjen e sendeve të paligjshme, por asnjëri prej tyre nuk rezultoi të kishte armë.
Kontrolle janë kryer edhe te banesat e disa prej kontingjenteve kriminale, duke mos mundur të gjejnë sende të paligjshme. Në këtë operacion, kanë marrë pjesë 3 grupe të repartit RENEA, të shoqëruar me dhjetëra efektivë të Policisë së Elbasanit, ndërsa kontrollet janë shtrirë edhe në Belsh.
Elbasani është një nga qarqet më problematike për kriminalitetin në vend, për shkak të grupeve që kalojnë aty, por edhe të vrasjeve të pazbardhura që kanë ndodhur në qytet vitet e fundit.
Pas dëshmisë së dhënë nga i penduari Nuredin Dumani, i cili pas arrestimit më 30 mars të këtij viti, zbardhi një serish krimesh në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, Policia ka kryer të paktën tri kontrolle për kapjen e Talo Çelës, por të gjitha kanë dështuar, pavarësisht angazhimit të efektivave nga Tirana.
“BLIC” POLICOR NË TIRANË
Pas operacioneve të njëpasnjëshme në Elbasan dhe në rrethina të tij, ku pretendohet se strehohet Talo Çela dhe disa prej personave që janë pjesë e grupeve kriminale të Elbasanit, Policia ka nisur operacione “blic” edhe në Tiranë.
Orëve të vona të mbrëmjes së djeshme u mësua se në periferi të kryeqytetit u mor informacion se gjendeshin të strehuar persona të një rrezikshmërie të lartë, ndaj edhe është ushtruar kontroll në disa banesa dhe lokale.
Nuk bëhet me dije nëse është shoqëruar ndonjë i dyshuar, por Policia është në alarm nga moria e vrasësve me pagesë që qarkullojnë në vendin tonë në disa qytete të vendi.…jetoilumtu.al/
burimi lajmifundit.al/