200 euro për një aplikim vëllezërve nga Kosova, kush është policja që zhvat qytetarët në Tiranë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

BW ka publikuar një video të një gruaje që ushtron detyrën e operatores së zyrës së shërbimit ndaj qytetarëve në policinë e Tiranës. Quhet Erinda H. dhe është marrë e pandehur nga prokuroria e Tiranës, për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.

Shumën prej 200 eurosh, ajo e fut brenda një flete të zbardhë, të cilën e vendos mbi tastierën e kompjuterit.

Hetimi për rastin nisi pas shqetësimit të ngritur pranë Shërbimit të Çështjeve dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme nga një shtetas i quajtur Mentor Muharremi, në lidhje me ecurinë e procedurave ligjore për përfitimin e shtetësisë shqiptare, pas apelimit nga ana e tij.

Merr lajme ekskluzive  

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë  duke klikuar këtu

Ai ka shpjeguar se bashkë me të vëllanë janë paraqitur në drejtorinë e Tiranës, ku kanë dorëzuar dokumentet dhe punonjësja e policisë iu ka kërkuar 100 euro secilit, si pagesë për pranimin e aplikimit. 3 javë më vonë, është ankuar babai i tyre, për arsyet se përse pagesa nuk ishte pasqyruar në vërtetimin e lëshuar për dy djemtë e tij.

Nga hetimet ka rezultuar se dy vëllezërit në fjalë ishin të përjashtuar nga një pagesë e tillë, për shkak të origjinës shqiptare të nënës së tyre.

Ndërkohë që në rastet kur duhej paguar një tarifë e caktuar nga aplikantët, ata ishin të detyruar të bënin derdhjen e shumës në një llogari të çelur në një bankë të nivelit të dytë.

Nga hetimet e kryera nga prokurori Bledar Valikaj ka rezultuar se shumën prej 200 eurosh e ka përfituar në mënyrë të padrejtë punonjësja e policisë.

Kjo e fundit shfaqet në kamera, duke marrë paratë, ndërsa dy vëllezërit e kanë identifikuar atë si personin që iu kërkoi të paguanin tarifën, ndonëse ligjërisht ishin të përjashtuar prej saj.

Në këto rrethana, punonjësja e policisë Erinda H., tashmë do duhet të përballet me drejtësinë për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën..…/jetoilumtu.al/

Scroll to Top