​3 vatra aktive zjarri në Shqipëri

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjegjës ndaj Emergjencave në AKMC, në Ministrinë e Mbrojtjes, Robert Hysenllari deklaroi sot se 246 forca operacionale janë angazhuar në shuarjen e zjarreve, në përditësimin e situatës për 24 orët e fundit.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ne AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri.

Hysenllari informon se janë shuar vatrat e zjarrit në Malësi e Madhe, Selenicë, Rrogozhinë, Gjirokastër, Kavajë, Berat, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Durrës.

“Vatrat e zjarrit të izoluar dhe shuar janë :në lagjen Mehaj, bashkia Malësi e Madhe, në fshatin Dushkarak, bashkia Selenicë; në fshatin Lekaj, bashkia Rrogozhinë;në fshatin Progjni, bashkia Gjirokastër;në fshatin Blerimaj, bashkia Kavajë;në fshatin Molisht, bashkia Berat;në fshatin Pishë Poro, bashkia Fier;në fshatin Novosel, bashkia Vlorë;në fshatin Vilëz, bashkia Shkodër;në fshatin Shetaj, bashkia Durrës”, tha ai.

Hysenllari theksoi se në operacion për shuarjen e vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 246 forca operacionale, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare dhe janë angazhuar 30 mjete zjarrfikëse.

Po ashtu, Hysenllari informoi se janë ende 3 vatra aktive zjarri në Kurbin, Gramsh dhe Pogradec.

“Në fshatin Mal Bardhë, bashkia Kurbin, ditën e djeshme janë angazhuar forcat e pushtetit vendor dhe 50 vullnetarë. Vijon puna edhe ditën e sotme nga forca dhe kapacitete e pushtetit vendor Në fshatin Sojnik dhe Tunjë, bashkia Gramsh, ku vijon angazhimi i strukturave të bashkisë për izolimin e vatrës. Në fshatin Niçë, bashkia Pogradec, për të cilin po punohet nga shërbimi zjarrfikës për shuarjen përfundimtare. Të gjitha vatrat aktive zhvillohen jashtë zonave të banuara. Të gjitha forcat dhe kapacitetet e sistemit të Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për përgjigjen ndaj situatave të shkaktuara nga zjarri apo dhe çdo emergjence tjetër”, informoi Hysenllari. /atsh/jetoilumtu.al/

Scroll to Top