Ka arritur në 47 numri i viktimave nga stuhia vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Situata mbetet kritike në Nju Jork, ku edhe punonjësit e kërkim-shpëtimit janë bllokuar në automjetet e tyre. Miliona amerikanë ende janë pa energji elektrike pasi era e fortë ka rrëzuar një pjesë të madhe të shtyllave të tensionit.
Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Vetëm në Kontenë Erie ka 25 të vdekur, ndërsa në Buffalo janë regjistruar 13 viktima. Ata kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve dhe ngricave në rrugë. Temperaturat kanë arritur në -30 gradë Celsius buzë liqenit Erie në perëndim të Nju Jorkut. Rreth 200 trupa të Gardës Kombëtare u mobilizuan në perëndim të Nju Jorkut për të ndihmuar ekuipazhet e policisë dhe zjarrfikësve, për të kryer kontrolle shëndetësore dhe për të sjellë furnizime.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul e cilësoi stuhinë dimërore si katastrofën më të madhe që pas 1977 ku në Buffalo humbën jetën 30 persona.
“Presidenti Joe Biden më ka siguruar se brenda një kohe shumë të shkurtër nga marrja e kërkesës sonë për shpalkjen e fatkeqësisë natyrore ajo do të pranohet. Ky është një lajm i mirë për ne që të jemi në gjendje të fillojmë të mbulojmë koston e kësaj stuhie katastrofike me të cilën duhet të përballemi tani.”
Gati 2 metër dëborë është regjistruar në aeroportin e Buffalo. Shteti perëndimor amerikan i Montana është më i godituri nga i ftohti, me temperatura -45 gradë Celcius.
Edhe në Kanada, provincat e Ontarios dhe Quebec po mbajnë peshën kryesore të stuhisë. Në Kuebek pothuajse 120,000 familje mbetën pa energji elektrike. Katër viktima u regjistruan në provincën perëndimore të British Columbia.
Tv Klan