Por kush ishte viktima, Edmond Papa në të vërtetë? Cila ishte jeta e tij në Greqi, dhe çfarë e lidhte emrin e tij me dy ngjarje kriminale që i paraprinë dhe pasuan vrasjen e tij.
Ngjarje që duken të shkëputura në kohë dhe vendndodhje, por që duket se i lidh një e shkuar e përbashkët. Ajo e pazareve të drogës. Pazare të prishura që duket se pas një qetësie, kanë shpërthyer me mosdakordësinë e tyre në një stuhi plumbash dhe atentatesh. Të shpërndara midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Aty ku Edmond Papa, me origjinë nga Fieri, por me banim midis Sarandës dhe Greqisë, mesa duket se kishte zhvilluar prej vitesh biznesin e tij kriminal, në fushën e lëndëve narkotike.
Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Dosja Hetimore
Gjatë ekspertimit të vendit të ngjarjes, u sekuestruan njëkohësisht rrobat e viktimës si edhe u përpiluan veprimet përkatëse teknike, biologjike dhe kimike për faktorët plotësues të qitjes. Po kështu u krye edhe kqyrja e automjetit me targa AB 001 GG ku u sekuestruan dy aparatë celularë, një kuti syzesh boshe, dy receta mjekësore, një sasi vlerash monetare, një portofol me mbishkrimin ‘Dior’, tre karta me mbishkrimin CE, një mbishkrim ‘Blue Sky’, një kartë me mbishkrimin ‘Grand Casino Prestige Member’, një kartëvizitë me mbishkrimin e një spitali privat, leje drejtimi në emër të Edmond Papa, dy karta banke, si edhe një çantë e markës ‘Louis Vuitton’.
Siç shikohet edhe nga sendet personale të gjetura në makinën e viktimës, duket se ky i fundit bënte një jetë relativisht të mirë. Por siç e thamë shumë pak dihej për jetën e tij të vërtetë. Sipas vëllait të tij, edhe ky me mbiemër të ndryshëm nga viktima, ky i fundit, kishte zgjedhur të mos ruhej.
Ose të paktën kështu deklaron vëllai i tij, për të hequr çdo dyshim mbi një pistë të mundshme që lidhet me të shkuarën e tij. “Edmondi nuk ruhej. Madje te ai nuk kam parë asnjë shqetësim. Por po kështu dua të deklaroj, se ai nuk ka pasur konflikte me askënd, që mund të çonin në dyshimet tona, lidhur mbi autorët e mundshëm të vrasjes së tij.”, tha vëllai i viktimës.
Të njëjtën gjë për hetuesit, deklaroi edhe kunata e viktimës. Ajo që mësoi e para fillimisht lajmin për plagosjen e tij. Lajm që siç e thamë e mësoi nga pronari i lokalit, ku ishin shkrepur plumbat. Dhe që më tej rendi, të shikonte se çfarë kishte ndodhur, vetëm disa kate, poshtë apartamentit ku jetonte.
“Më datë 16 Dhjetor 2022 rreth orës 10.00 në shtëpinë time ka ardhur vjehrra e cila quhet F. H së bashku me kunatin tim, i cili quhet Edmond Papa. Vjehrra jeton në Kurjan/ Fier, ndërsa kunati në Kurjan dhe në Sarandë. Ata kanë ardhur në Tiranë me automjetin e kunatit tim me targë AB 001 GG, pasi do të kryenin disa vizita mjekësore të vjehrrës.
Rreth orës 16.15, kunati më kërkoi që t’i jepja diçka për të ngrënë mamasë së tij, para se ta çonte për vizitë mjekësore. Unë isha duke i dhënë për të ngrënë vjehrrës, kur dëgjova të shtëna. Fillimisht mendova se mos ishin fishekzjarre. Më pas ra zilja e portës së jashtme.
Ishte pronari i lokalit, i cili më tha të lajmëroja ambulancën pasi ishte plagosur Edmondi. Pasi mora ambulancën, mora automjetin e kunatit tim me targa AA 001 GG për ta dërguar në spital. Më pas erdhi policia dhe ambulanca. .”, tha shetasja me inicialet A. B., kunata e viktimës.
Ashtu si edhe të afërmit e tjerë të intervistuar nga policia, edhe kunata e viktimës, deklaroi se ky i fundit nuk kishte asnjë shqetësim që mund ta cënonte fizikisht. Por nuk dha asnjë detaj tjetër mbi jetën përtej një biznesmeni të nderuar të kunatit të saj, tashmë të ndjerë.
“Nuk kam dijeni se cilët janë autorët. Edmondi lëvizte lirisht dhe nuk na kishte shprehur ndonjë shqetësim. Ai ishte i divorcuar dhe nuk kishte fëmijë. Ishte pronari i një biznesi në Sarandë. As Edmondi dhe as bashkëshorti im Kristo nuk kishin konflikte me ndonjë person.”, shtoi kunata e Papës.
Por ndërsa vëllai i viktimës dhe kunata e tij deklaruan një gjë të tillë, policia ka dyshime të forta se vrasja lidhet me prishjen e pazareve të drogës. Një pistë e mundshme kjo, po të kihet parasysh aktiviteti i viktimës në Greqi, ku thuhet se Edmond Papa, ka qenë i skeduar si një eksponent aktiv në fushën e lëndëve narkotike.
Për këtë arsye, policia shqiptare po bashkëpunon edhe me atë greke. Për të mësuar më shumë mbi jetën dhe aktivitetin e Edmond Papës në vendin fqinj. Sipas të dhënave që disponon emisioni ‘Në shënjestër’, Papa me origjinë nga fshati Kurjan i Fierit, por me banim në Sarandë, kishte në këtë qytet, një hotel, qytet ku njihej edhe si biznesmen në fushën e ndërtimit.
Por siç e thamë edhe më herët, pista kryesore ku është ndalur grupi hetues, është ajo e larjes së hesapeve për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Ku në një informacion të fundit, thuhet se shkak për këtë përplasje është bërë humbja e 700 kg lëndë narkotike, të llojit kanabis sativa. Prishje pazari që ka sjellë kohë pas kohe viktima të shumta, midis atyre që deri dje njiheshin si ortakë brenda një grupi kriminal që merrej me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.
Kjo është edhe arsyeja përse grupi hetues është kthyer pas në kohë, në vrasjen e 49-vjeçarit Edmond Papa, në atentatin ndaj një tjetër personazhi të botës së krimit, atë ndaj Aleksandër Sadikaj, i cili u ekzekutua në mënyrë makabër mesditën e datës 11 qershor 2022, pranë rrethrrotrullimit të TEG-ut në kryeqytet.
Ndërsa po lëvizte me makinën e tij në këtë zonë të Tiranës, vetëm pak minuta pasi kishte lënë banesën e tij në lagjen ‘Sauk i vjetër’. Aty ku ai banonte me qira prej tri vitesh. Atentat i cili u krye nëpërmjet shpërthimit të kontrolluar të një sasie të konsiderueshme eksplozivi. Të vendosur poshtë shasisë së makinës me të cilën viktima udhëtonte.
Një personazh edhe ky me rekorde të shumta kriminale që kishte në pronësi një agroturizëm në vendlindjen e tij në Memaliaj, si edhe një lokal në zonën e Selitës në Tiranë. Por që biznesin e tij të vërtetë duket se kishte atë të punëve të pista në botën e drogës. Një e shkuar kjo e ngjashme edhe me atë viktimës më të fundit, Edmond Papa. Ku ashtu si ky edhe Sadikaj, kishte një jetëshkrim të pasur në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Teksa disa vite më parë ishte akuzuar për një vrasje të ndodhur në kryeqytetin grek, Athinë. Vrasje e cila dyshohet se u krye për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Ndërsa në vitin 2019, ai u akuzua si i përfshirë në një ngjarje të rëndë në Sarandë, ku tentoi të vriste me thikë 40-vjeçarin nga Vlora, Berti Tahiraj.
Po për t’ju kthyer asaj se çfarë e lidh Edmond Papën me Aleksandër Sadikaj, apo siç njihej ndryshe me nofkën ‘Sanço’, policia beson se Papa ka qenë një nga personat e fundit që e ka takuar Sadikajn, para se të ekzekutohet. Takim që mendohet se është kryer në Tiranë. Por ndërsa duket se vala e terrorit, do të mbyllej përkohësisht me vrasjet e Sadikajt dhe Papës, duket se ajo nuk përfundoi këtu.
Madje përhapja e saj do të ishte edhe më e shpejtë se edhe vetë ajo çfarë policia besonte. I tillë duket të jetë edhe atentati i mbrëmjes së 18 dhjetorit 2022, në një lokal të njohur në zonën e Nea Smyrnit, në Athinë.
Mbrëmjen, ku në këtë zonë të mbipopulluar të kryeqytetit grek, siç shikohet edhe nga pamjet e siguruara nga mediat greke, një person i veshur me të zeza, u fut qetësisht në lokal, dhe qëlloi pa hezitim ndaj dy shqiptarëve. Duke i lënë të vdekur në vendngjarje. Atentat ky që vinte vetëm dy ditë pas ekzekutimit në Tiranë të Edmond Papës.
Që policitë e dy vendeve, besojnë se këto dy vrasje, kanë lidhje me njëra-tjetrën. Dhe shkak është bërë humbja e kuintalëve me lëndë narkotike.
Media greke
Dy shqiptarë u ekzekutuan teksa po pinin kafe në një lokal, ndërsa një grua mbeti e plagosur. Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 22:00, në një lokal të njohur në Athinë, në Nea Smyrni. Personi që qëlloi mbante në kokë një kapuç, ndërsa në fytyrë një maskë kirurgjikale. Ai u afrua në tavolinën ku ndodheshin dy shqiptarët dhe qëlloi disa herë në drejtim të tyre me pistoletë. Njëri prej shqiptarëve humbi jetën pasi mori dy plumba në kokë, ndërsa tjetri u plagos në gjoks, por edhe pse u dërgua në spital, nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.
Por siç e thamë policia shqiptare dhe ajo greke beson se të dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën. Dhe se në mes është larja e hesapeve të drogës, brenda një grupi tashmë të shpërbërë nga plumbat. Atentate të mirësinkronizuara, që sipas policive respektive, mendohet të jenë planifikuar prej shumë kohësh. Madje, sipas medias greke, njëri nga viktimat, i cili mendohet të ketë qenë, objektivi i vërtetë i atentatit, njihej ndryshe edhe si një ‘kumbarët’ e jetës së natës në Athinë.
Mediat greke
Shqiptari që u vra me dy plumba në kokë është mjaft i njohur në zonë si person problematik. Viktimat njiheshin ndryshe edhe si ‘kumbarët’ e klubeve të natës. Dhe dyshohet se atentati ndaj tyre është i mirëmenduar pasi mendohet të jetë planifikuar prej kohësh. Madje, një prej shqiptarëve kohët e fundit kishte filluar të dyshonte dhe ndërronte shpesh makinat me të cilat lëvizte.
Dy viktimat shqiptare të atentatit në Athinë, siç tashmë është bërë e njohur, u identifikuan si Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Ogranaja. Ku mendohet se shënjestër e atentatit, ishte 41 vjeçari, Çerçizaj nga Vlora. Një personazh me rekorde të shumta penale. Por mbi të gjitha i njohur për përfshirjen në trafikun e lëndëve narkotike.
Sipas të dhënave të medias greke, Kreshnik Çerçizaj mësohet se ka vuajtur më herët dënimin në burgun famëkeq të Koridhalos. Dhe gjasat janë që urdhëri për ekzekutimin e tij të ketë ardhur pikërisht nga brenda këtij burgu, nga po një shqiptar, të cilin ai e njihte. Ndërsa besohet se autori i krimit dhe viktimat të jenë takuar edhe më herët midis tyre. ‘
Por tashmë i mbetet policive respektive të lidhin fijet e këtyre ngjarjeve. Kush po i eleminon personazhet e mësipërm? Dhe çfarë ka ndodhur në të vërtetë midis tyre, që po çon në këto ekzekutime, që gjasat janë që të mos jenë të fundit në radhë? A është kjo luftë e nisur e përbindshme midis tyre, luftë për zotërimin e territoreve të drogës, apo një betejë spastrimi, që nuk dihet se kur do të ndalë hovin e saj./ Në Shënjestër/ Pjesa e dytë