9 goditje tërmetesh gjatë natës në Shqipëri, flet sizmologu

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Prej mbrëmjes së djeshme deri mëngjesin e sotëm 9 goditje tërmeti janë regjistruar në zonën e Xibrit në Dibër. Goditja më e fortë ka qenë 3.7 ballë e shënuar në mesnatë duke shkaktuar panik te banorët e zonës.

Sizmologu Edmond Dushi nga “IGJEUM“, i kontaktuar nga ”5pyetjet.al” tha se kemi të bëjmë me një shkëputje tektonike, e cila është në monitorim se çfarë do të prodhojë në vazhdim.

“Ajo është një zonë që ka pasur aktivitet, shkëputje tektonike dhe kështu që presim tërmet. Është aktivizuar që dje dhe është në aktivitet.

Ne këto i quajmë aktivitete normale derisa nuk shohim një trend. Nuk ka akoma një prirje, nuk e ka shfaqur natyrën, jemi duke pritur. Ka filluar me 2.4 pastaj ka rënë dhe tani jemi te 3.7, por jemi duke monitoruar.

Është aktivitet tektonik i zonës, një thyerje lokale. Ka një shtrirje dhe janë disa epiqendra që përcaktojnë një zonë. Akoma nuk është shfaqur tendenca e zonës. Nuk kemi një karakteristikë shumë të qartë, prandaj mund të themi se për momentin është një grumbull tërmetesh, më i forti me magnitudë 3.7”, tha ai.

Por a ka lidhje kjo me tërmetet që po regjistrohen në rajon, sidomos në Greqi në ditët e fundit?

“Kjo është një thyerje lokale, nuk është e prirur që të ketë lidhje me thyerjet e tjera tektonike, apo zonat e tjera.

Por rajoni i Ballkanit, goditja me pllakën e Adriatikut apo Egjeut, na krijon një lloj sforcimi të vazhdueshëm dhe kjo pasqyrohet te thyerjet e brendshme.

Jemi në lëvizje gjithë kohës, kjo është ideja. Për momentin kemi një magnitudë të moderuar, por jo se ka ndonjë veçanti”, tha Dushi.

Scroll to Top