Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Sokol Bode, ish-shefi i Policisë së Dhërmiut është arrestuar në Berat dhe po dërgohet drejt Tiranës.
Kujtojme se Bode u dënua me 8 vjet heqje lirie për trafik narkotikësh. Sokol Bode u akuzua nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas nga SPAK për implikim në trafikun e narkotikëve të kryer nga organizata kriminale e drejtuar prej vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj.
Koodrinatorja për të drejtën e informimit pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Dinora Aleksi sqaroi për BIRN se gjyqtarja Flojera Davidhi ka dënuar të pandehurit Sokol Bode me 12 vjet heqje lirie, ku në aplikim të gjykimit të shkurtuar është vendosur dënimi përfundimtar me 8 vjet burg.
Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane dhe u dënuan në qershor të 2019-ës. Ata u arrestuan nga policia Italiane teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Një proces paralel për ta filloi edhe në Shqipëri.
Bazuar në hetimet e drejtësisë italiane dhe asaj shqiptare përfundoi në burg edhe ish-ministri Tahiri, pasi u dënua me vendim të formës së prerë për “shpërdorim detyre” më 24 shkurt. Ndërkohë akuzat e SPAK ndaj Tahirit për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal u rrëzuan si të paprovuara. Prokuroria ngriti akuza edhe për punonjësin e policisë Gjergji Kohila dhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ky i fundit i dënuar për shpërdorim detyre së bashku me Tahirin.
burimi lajmifundit.al/