Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Ajo që në muajin korrik 2021 ndodhi në mes të ditës, ku policia dështoi publikisht, në një operacion në zonën e “Varrit të Bomit”, ku synohej të shkëmbehej kokainë “Philipp Plein” kundrejt 100 mijë euro, 1 vit më pas kjo çështje dështoi për herë të dytë. Por këtë radhë në prokurori.
Prokuroria e Tiranës është “dorëzuar” përballë pamundësisë së sigurimit të provave, për të ngritur akuzë ndaj 4 personave të arrestuar nga operacionalja, si Altin Gega alias Çuku, Erjon Prenga, Taulant Çukun dhe Gentjan Kore.
Të katër këta persona të arrestuar me shumë bujë nga policia në korrik 2021, janë zhveshur nga akuzat, pasi prokurori i çështjes Ardjan Dyrmishi, ka proceduar ndaj këtyre personave me një kërkesë në gjykatë për pushimin e akuzës së “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Shkak i kësaj kërkese për pushimin e ndjekjes penale, është bërë pamundësia e sigurimit të provave që implikonin 4 personat e arrestuar nga policia.
Por dhe mos bashkëpunimi i strukturave të policisë dhe agjentit që kishte hyrë në negociata, me personat e përfshirë në tregtinë e drogës të llojit “Philipp Plein”.
Për sasinë e kokainës prej 1 kg e 250 gramë, është zbuluar vetëm një person si autor, i cili nuk është bërë asnjëherë publik nga policia. Por tashmë rezulton të jetë marrë i pandehur nga prokuroria.
Bëhet fjalë për 27-vjeçarin J.Capa, i cili është identifikuar si posedues i 1 kg 250 gramë kokainë të cilësisë së parë.
Capa, akuzohet për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, pasi gjurmët e gishtave të tij, u fiksuan në kutinë e picave që policia gjeti dhe sekuestroi poshtë një makine të parkuar jo shumë larg vendit të ngjarjes.
Ditën e operacionit J.Capa, mundi tu iki agjentëve dhe RENEA-s, por pas zbulimit të gjurmëve mësohet se ai është shfaqur në ambjentet e policisë së Tiranës, duke u vetëdorëzuar.
Gjatë marrjes në pyetje J.Capa, ka treguar se kokainën e cilësisë së parë e kishte të tijën dhe synonte ta shiste tek një person, të cilin nuk e dinte që ishte punonjës policie.
Capa, ka përjashtuar në mënyrë kategorike që Altin Gega alias Çuku, Erjon Prenga, Taulant Çukun dhe Gentjan Kore, të kenë lidhje me sasinë e kokainës dhe aktivitetin e tij kriminal të shitjes së drogës.
Për provueshmërinë e akuzave ndaj tyre, nuk ka pranuar të dëshmojë dhe agjenti i policisë që ishte infiltruar brenda grupit për të blerë kokainën.
Kjo ka sjellë dështimin e dosjes penale, jo vetëm në polici por edhe në prokurorinë e Tiranës, ku 4 personat e arrestuar tashmë janë zhveshur nga akuzat ndërsa vetë 1 person qëndron në burg.
Sipas burimeve të prokurorisë Altin Gega alias Çuku, rezulton të jetë djali i hallës së klanit “Duka” në Tiranë.
Altin Gegës, dhe vëllait të tij të proceduar në Holandë dhe Belgjikë, një ditë më parë prokuroria e Tiranës i sekuestroi 6 pasuri të paluajtshme në kryeqytet.
Ndërsa Erjon Prenga, është djali i një biznesmeni që ka një resort shumë të njohur në Dajt dhe pjesë e grupit shoqëror të klanit “Duka” në Tiranë.
Njëherësh nën akuzë ka përfunduar dhe Gazmend Cani, personi me Benzin e zi që ditën e ngjarjes u iku, efektivëve të operacionales, i cili tashmë rezulton se është dënuar për akuzën e “Kundërshtimit të forcave të Policisë së Shtetit”. /oranews