Babai i vrasësit të Sabina Nessa i është lutur djalit të tij të rrëfejë se përse e kreu vrasjen. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në shtator të vitit 2021 në Britani, kur 28-vjeçarja Sabina Nessa u gjet e vrarë në lindje të Londrës. Në trupin e saj u gjetën shenja dhune dhe mbytjeje. Për vrasjen e 28-vjeçares është dënuar me burgim të përjetshëm shqiptari Koçi Selamaj.shkruan se i ati i të dënuarit, 71-vjeçari Bashkim Selamaj, ka udhëtuar për herë të dytë drejt burgut ku djali i tij vuan dënimin për t’i kërkuar atij të tregojë se përse e ka bërë vrasjen, por ky i fundit ka refuzuar të dalë nga qelia për të takuar babain.
Koçi Selamaj, 36 vjeç, ka ndërprerë kontaktet me familjarët e tij dhe vuan dënimin me burg të përjetshëm pasi mbyti me një trekëndësh rreziku mësuesen 28-vjeçare.
12 muaj pas vrasjes ish-punëtori i çelikut tregon nga shtëpia e tij në Elbasan se djali i tij është ndier i turpëruar për ta takuar.
“Koçi ka karakter të fortë. Ai e ka kuptuar se çfarë ka bërë dhe i vjen turp nga vetja. Turpi e bën atë mos të më takojë mua apo motrën e tij, e cila gjithashtu ka tentuar ta takojë. Ai nuk do të më thotë se pse e vrau atë vajzë. Unë dua ta dëgjoj nga ai se pse e bëri”, është shprehur i ati i të dënuarit.
Koçi e ka pranuar se e ka kryer vrasjen e Sabinës në Cator Park Kidbrooke.
Natën e krimit, Koçi kishte rezervuar një dhomë në Grand Hotel me shpresën se do kalonte natën me gruan e tij, e cila dyshohet se ishta larguar nga ai dhe punonte shërbyese në hotel. Stafi kishte ndier se diçka nuk po shkonte dhe pas një mosmarrëveshje për pagesën kishte thirrur policinë.
Koçi më pas ishte nisur për në Londër ku “zgjodhi” në mënyrë të rastësishme mësuesen 28-vjeçare Sabina, e cila po kalonte në park për të takuar një mikeshë. Ai e goditi në kokë 34 herë Sabinën para se ta mbyste për vdekje me një trekëndësh rreziku.
Babai i të dënuarit shprehet se vrasja e 28-vjeçares ka shkaktuar një tragjedi të madhe në familjen e tij. Ai thotë se ndien dhimbje për vdekjen e mësueses së re, e po ashtu për djalin e tij, i cili nuk dëshiron ta takojë që prej 12 muajsh.
“Vrasja e Sabinës ka qenë një tragjedi për familjen e saj. Ne akoma nuk e besojmë se si djali jonë u përfshi në vrasjen e saj. Çfarë ndodhi vitin e kaluar ka shkaktuar një tjetër tragjedi në familjen tonë. Unë jam i moshuar, vuaj nga sëmundje të shumta dhe jam operuar në kokë disa vite më parë. Ndiej dhimbje të thellë që Sabina humbi jetën dhe po ashtu ndiej dhimbje për djalin tim i cili ka 12 muaj që nuk do të flasë me ne. I kam dërguar shumë letra, por s’më është përgjigjur. Kam shkuar dy herë në Londër. Kam shkuar dy herë në Belmarsh. Në të dyja herët ishte e njëjta histori. Rojet i kërkuan të dilte të më takonte. Të dyja herët ka refuzuar”, është shprehur i ati i të dënuarit./tvklan.al