Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Tiranës do t’i shtohet dhe një tjetër kullë. Për këtë është mbajtur sot në kryeqytet një Konkurs Ndërkombëtar për projektin fitues mes studiove prestigjoze, për qendrën shumëfunksionale, Tirana Multifunctional Center.
Kryeministrin Rama ishte sot i pranishëm në prezantimin e konkursit ndërkombëtar për projektin prestigjioz të qendrës Tirana Multifunctional Center. Rama e ka shpërndarë videon ku po paraqiten projektet e kërkuara nga qeveria shqiptare me këtë shënim:
“Tirana Multifunctional Center”- Konkursi Ndërkombëtar për projektin fitues mes 5 studiove prestigjoze të arkitekturës bashkëkohore, për një ndërtim tejet ambicioz në qendër të Tiranës, i cili do të forcojë më tej profilin e metropolit rajonal të së ardhmes për kryeqytetin tonë”.
Rama deklaroi që ndihet krenar për Tiranën që ka arritur këtë nivel të tërheqjes së vëmendjes edhe të respektit në botën e arkitekturës bashkëkohore.
“Së pari, dua të falenderoj anëtarët e jurisë, të cilët e kanë pranuar ftesën për t’iu bashkuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme për historinë e zhvillimit të kryeqytetit. Dua të falenderoj me shumë respekt të gjitha studiot.
Janë të pesta studio me vepra mbresëlënëse, me reputacion të rëndësishëm që nga mjeshtri i madh i arkitekturës bashkëkohore italianë, Massimiliano Fuksas, tek një prej yjeve të arkitekturës japoneze, Shigeru Ban, tek UNStudio, Cebra, Oda, studio, të cilat vijnë sot me një bagazh eksperience dhe sfidash të panumërta.
Jam shumë krenar që Tirana e ka arritur këtë nivel të tërheqjes së vëmendjes edhe të respektit në botën e arkitekturës bashkëkohore dhe po ashtu, jam shumë i kënaqëur që sot kemi një praktikë të cilën e kemi ndjekur dhe herë të tjera në vitet e shkuara, në kohën kur unë isha kryetar i bashkisë, për të ballafaquar ide të ndryshme për një zhvillim, i cili nuk është zhvillim i zakonshëm, është zhvillim në zemër të Tiranës dhe bëhet fjalë për të vendosur për ngritjen e një ndërtese, e cila i shtohet vijës së qiellit të Tiranës, por nga ana tjetër, i shtohet xhevahireve që ka Tirana e arkitekturës moderne e këtij shekulli”, tha Rama.
Ndër prezantimet, vihet re ndërtimi i një kulle shumëkatëshe në zemër të kryeqytetit, pas Teatrit të Operas dhe të Baletit, për të cilin arkitekti drejtues që e prezantoi tha se ishte mbështetur në traditën shqipptare e konkretisht, në stilin e shtëpisë së Zekatëve në Gjirokastër, të Pallatit me Kuba në Tiranë, të qytetit të njëmijë dritareve dhe kështjellës së Beratit.
Sikurse shihet nga pamjet, kulla e re që propozohet ngrihet pikërisht mbi lulishten pas Teatrit të Operas dhe Baletit.