Gazetari i kronikës, Eni Ferhati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, deklaroi se vdekja e Lear Kurtit është vazhdë e sjelljes së dhunshme të policisë në vitet e fundit.
Ferhati tha se gati gjysma e ankesave për policinë në Agjencinë e Mbikqyrjes Policore për vitin e shkuar, ishin për shoqërimet e paligjshme, siç ishte edhe rasti i 32-vjeçarit Kurti.
“Viktima Lear Kurti ka patur vetëm një procedim penal për falsifikim kartëmonedhash. Nuk përbën vepër penale që të qëndrosh diku, sepse nuk jemi në shtetrrethim. Nuk ka patur dyshime të arsyeshme dhe është i pajustifikuar veprimi i policisë.
Ka mospërputhje edhe për oraret që raportoi AMP. Nuk përkon ora e ndalimit të thënë nga AMP.
Sot drejtori i përgjithshëm i policisë, Mehmet Rrumbullaku, kur ishte drejtor i AMP-së ka shkruar se mbetet shqetësuese situata në shoqërimet e paligjshme dhe mënyra e shoqërimit.
Pra nga drejtori i AMP-së. Vitin e kaluar janë mbi 1600 ankesa, ku 50 për qind e tyre janë shoqërimet e paligjshme”-tha gazetari Ferhati.