Ushtria e Vladimir Putinit ka hyrë në fazën më të zymtë të luftës pasi ushtarët e tij të papajisur po përballen me realiteti e ashpër të dimrit në Ukrainë.
Ushtarët e tij mund të përballen me kushte vrasëse të ngjashme me ato që pësuan gjatë pushtimit të dështuar sovjetik të Finlandës në 1939 ose sulmin e dështuar nazist në Rusi në 1941.
Temperaturat gjatë dimrit në Ukrainë mund të arrijnë deri në -31C me stuhi të afta të hedhin deri në 50.8 cm borë në një ditë.
“Kur është ftohtë jo vetëm që lëvizin më ngadalë, por mendojnë më ngadalë dhe mundësia që njësitë mos veprojnë rritet”, tha për The Sun Online, gjenerali amerikan Ben Hodges.
Gjenerali Hodges – ish komandanti i Ushtrisë Amerikane në Evropë, shpalosi me detaje thellësinë e sfidave me të cilat përballen rusët.
Dhe ndërsa ukrainasve do t’u duhet të durojnë kushtet, ata duken më të pajisur dhe sigurisht më të motivuar se trupat e Putinit, shumë prej të cilëve do të kenë ardhur nga mobilizimi i fundit.
Të detyruar të luftojnë dhe pa veshjet e dimrit që u nevojiten për t’u mbrojtur nga i ftohti, gjenerali Hodges shpjegoi se kjo mund të jetë pjesa më e zymtë e luftës deri më tani për Putinin.
Por ai thotë se rusët “e dinë këtë” .
Oficeri në pension i ushtrisë britanike, koloneli Richard Kemp gjithashtu ra dakord se rusët e rekrutuar mund të përballeshin me një krizë në muajt e dimrit, por ishte e qartë se të dyja palët do të vuanin në këto kushte.
“E gjithë lufta dhe veçanërisht lloji i luftës që po zhvillohet në Ukrainë, është e ashpër nga pikëpamja morale dhe fizike,” tha koloneli Kemp për The Sun Online.
“Por më pas shtohen kushtet e ngrirjes dhe i ftohti dhe kthehet në një ushtrim mbijetese.”
Ukraina është gati të hyjë në muajt e saj të dimrit, me shira të dendur që kanë filluar të bien.
Më pas temperaturat do të vijojnë të ulen.
Të dy komandantët ushtarakë me përvojë thanë se të gjitha trupat dhe pajisjet do të vuajnë këtë dimër, por veçanërisht rusët.
Gjenerali Hodges ishte i bindur se ndryshimi i kushteve do t’u sjellë dobi ukrainasve pasi ata janë “shumë më të përgatitur” dhe nëse vazhdojnë presionin mbi rusët “do të shemben”.