Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Bujqësisë Frida Krifca dhe deputeti Taulant Balla, ka takuar mëngjesin e së shtunës fermerët e Lushnjes. Gjatë bashkëbisedimit, një nga sipërmarrësit e zonës u bëri thirrje emigrantëve që kanë shkuar jashët dhe punojnë në bujqësi që të kthehen pasi pagat nuk janë aq sa thuhet.
“Pashë në Greqi kolegët dhe shoh që shqiptarët po rrinë po kot. Greqia ka mbaruar punë para nesh. Europa do produkt Made In Albania, se nuk gjejnë më mirë. Sot është ora e autokombajnave në Shqipëri. U bëj thirrje të kthehen se ne rrogat i kemi çuar më shumë nga ç’i deklarojnë,” u shpreh ai.
Deklaratën e sipërmarrësit kryeministri e mori me humor ndërsa u shpreh se mosdeklarimi i pagave është një problem i madh për shtetin, por shtoi se me fshatin qeveria është treguar vetë tolerante.
“Ne Shqipëria, kemi sektorin më të pataksuar bujqësor të Evropës. Natyrisht që po, dhe ky është problem i madh për ne si shtet. Por ne te fshati se kemi gërmuar shumë këtë pjesë. Prandaj na dalin pagat më të ulëtat në rajon se kemi mungesë deklarimi. Nuk ka më çfarë bën një shqiptar në Greqi e Itali, nëse është në sektorin bujqësor. Këtu po, ka çfarë bën. Krahasimi i drejtpërdrejtë, pagë me pagë nuk mjafton.”
Rama tha nga Lushnja gjatë një takimi me fermerë se do të bëhet një ndërhyrje ligjore, me super taksë që të ndalojë pronarët e tokave që t’i mbajnë ato peng pa punuar. Sipas tij këto toka ose duhet të punohet, ose të jepen me qira.
“Shqiptarët nuk duhet të ikin në Greqi apo Itali. Është e kotë, është e kotë. S’kanë ça bën një shqiptar në Itali dhe Greqi, nëse është në sektorin bujqësor. Këtu ka ça bën. Krahasimi i drejtpërdrejtë pagë me pagë nuk mjafton. Në këtë fushë jam optimist. Kemi probleme dhe me tokën, të natyrës që mbajmë peng tokën. Këtë s’do e lejojmë. Po përgatisim një ndërhyrje ligjore, ose punojë, ose jepe me qira, por s’mund ta mbash peng.