Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Është zbardhur emri i personit të arrestuar në Vlorë nga Policia e Shtetit dhe oficerë të policisë spanjolle, të cilët një ditë më parë zhvilluan një operacion të përbashkët, për kapjen e disa shqiptarëve që janë të implikuar në aferat e investimit në bursat online.
Në qytetin e Vlorës është arrestuar për qëllime ekstradimi, Berlando Saraçaj, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritet e drejtësisë spanjolle, si i dyshuar në “Pjesëmarje në Organizatë Kriminale” dhe “Mashtrime në rrethana rënduese” të kryera në vazhdimësi, raporton Ora News.
Ndaj 32-vjeçarit nga Vlora në 3 nëntor 2021, Gjykata e Shkallës së Parë Sue De Urgell në Spanjë, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, si i implikuar në dy veprat penale të mësipërme. Komunikimi i arrestit, Berlando Saraçaj, i është bërë nga një oficer i policisë së Shtetit që shërben pranë sektorit të Krimit Ekonomiko-Financiar.
Sipas dosjes hetimore Saraçaj është pjesë e një grupi personazh që menaxhojnë disa pika zinxhir të Call-Centerave në Tiranë dhe jo vetëm. Por çuditërisht autoritet spanjolle, kanë kërkuar arrestimin vetëm të Berlando Sarançaj.
Ora News mëson se ky i fundit rezulton aksioner në 4 kompani të telemarketingut në Shqipëri si, “Novem Albania”, “EBI MEDIA MARKETING” dhe dy nipte të tjera me emër të personalizuara.
Pjesë e rrethit të mashtrimit me bursat online, dyshohet se janë edhe Erindi Pysqyli, Ndriçim Sula, Arbana Bushaj, Anila Toska, Suela Toska, Gjergj Rebi, Xhuvane Xhabrahimi, Bora Kamberaj e Pietro Kuqi.
Gjithashtu në këtë skemë mashtrimi ka të dhëna të forta se janë të implikuar dhe persona që kanë mbështetje politike në qeveri.
Skema e mashtrimit që ka përdorur Berlando Saraçaj, është tashmë e njohur për strukturat e policisë.
Subjekti apo viktima e mashtrimit regjistrohet fillimisht në platformën e mashtrimit me emër, mbiemër, e-mail dhe numër telefoni.
Operatorët e kontaktojnë “viktimën” e tyre, menjëherë në telefon dhe krijojnë një bazë besimi me klientin e pretenduar.
Fillimisht klienti tundohet të investojë në sasi të vogla, me premtimin se brokeri-ndërmjetësi, i pretenduar i faqes se investimeve do të realizojë një fitim të madh me investigimin e aksioneve dhe valutave të kriptuara.
Ky premtim i bazuar në një platformë fiktive, e cila ka për qëllim mashtrimin e viktimave nëpërmjet sistemeve kompjuterike, për përfitime të padrejta ekonomike, është i rremë.
Klienti nuk mund të tërheqë paratë që ka investuar, por joshet të shtojë shumën deri në momentin kur mashtruesi humbet gjurmët dhe zhduket, duke tërhequr më pas pararë përmes një mekanizmi të sofistikuar online.