25 persona u arrestuan në një operacion në të gjithë Gjermaninë nga policia, në lidhje me një rast të dyshuar për komplot për të rrëzuar qeverinë me grusht shteti.
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Nga raportimet e mediave gjermane, të cilave u referohet BBC, thuhet se grupi i figurave të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarakë, planifikonin të sulmonin ndërtesën e Parlamentit, Reichstag, dhe të merrnin pushtetin.
Një gjerman, të cilit mediat i referohen si princi i quajtur Heinrich XIII, 71 vjeç, dyshohet se ishte personi kryesor i cili qëndronte pas këtij plani.
Sipas prokurorëve federalë, ai është një nga dy drejtuesit e dyshuar, në mesin e 11 të arrestuarve, që të gjithë shtetas gjermanë.
Komplotuesit thuhet se përfshijnë anëtarë të lëvizjes ekstremiste Reichsbürger [Qytetarët e Rajhut], e cila ka qenë prej kohësh nën vëzhgimin e policisë gjermane, të dyshuar për planifikim sulmesh të dhunshme dhe teori konspirative raciste.
Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë komplotuar për të përmbysur republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së vitit 1871 – një perandori e quajtur Rajhu i Dytë.
“Ne nuk kemi ende një emër për këtë grup,” tha një zëdhënëse e Zyrës së Prokurorit Federal.
Bastisjet u zhvilluan në pjesën më të madhe të vendit dhe dy persona u arrestuan në Austri dhe Itali, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve DPA. Të arrestuarit do të merren në pyetje më vonë gjatë ditës.
Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann shkroi në Twitter se një operacion i madh anti-terror po ndodhte dhe se ishte planifikuar një sulm i dyshuar i armatosur ndaj organeve kushtetuese.
Prokurori Federal tha se nga nëntori 2021, grupi kishte komplotuar një grusht shteti të dhunshëm.
Ish anëtarët e ushtrisë ishin gjithashtu pjesë e rëndësishme e komplotit të grushtit të shtetit, raportojnë mediat. Ata përfshinin ish-ushtarë elitë nga Njësitët Speciale.
“Komplotuesit kishin krijuar tashmë plane për të sunduar Gjermaninë”, thanë nga Zyra e Prokurorit Federal. Anëtarët e kuptuan se mund t’i realizonin qëllimet e tyre vetëm me “mjete ushtarake dhe dhunë kundër përfaqësuesve të shtetit” dhe kjo do të përfshinte edhe kryerjen e vrasjeve.
Transmetuesi publik ZDF raportoi se një ish-deputet i ekstremit të djathtë të dhomës së ulët të parlamentit, Bundestag, ishte gjithashtu pjesë e komplotit dhe ishte vendosur që ai të bëhej ministër i Drejtësisë, me princin Heinrich si udhëheqës.lajmifundit.al