Prokuroria e Tiranës vijon hetimet për sulmin e djeshëm ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, teksa ditën e sotme i është komunikuar masa e arrestit në spitalin e Traumës, agresorit Gert Shehu, i cili akuzohet për goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje.
Prokuroria deri tani, ka në dorë disa pamje filmike që tregojnë lëvizjet e Gert Shehut para aktit, ku shfaqet në një rrugicë në lagjen e tij dhe në një pamje tjetër, ku del nga xhamia e Tabakëve, ku drejtohet më pas drejt lëvizjeve të Berishës, ku shkon dhe e godet me grusht.
Deri tani, nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një sulm individual, apo të shtyrë apo paguar nga dikur tjetër.
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Për të zbuluar këtë, burime për mediat bëjnë me dije se Prokuroria ka dhënë urdhër që të sekuestrohen pamjet filmike të tre ditëve të fundit në vendet ku ka qëndruar Gert Shehu dhe për të parë se më kë është takuar.
Nga ana e familjarëve dhe nga ana e mjekut të tij, është konfirmuar se Gert Shehu vuante nga probleme të shëndetit mendor.