Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Policia dhe Prokuroria e Lezhës kanë arritur të zbardhin plagosjen me sende të forta të Drejtorit të Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Edmir Përndreca, e ngjarje e ndodhur 30-nëntor të këtij viti.
Në prangat e policisë kanë rënë 2 persona, Leonard Pepa 27 vjeç dhe Sebastiano Malotaj, 27 vjeç, që të dy banues në Lezhë.
Ndalimi i tyre u bë me urdhër të prokurorisë së Lezhës, e cila arriti të identifikojë dy nga dhunuesit.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, fillimisht i kanë dëmtuar automjetin Edmir Përndreca gjatë lëvizjes, dhe më pas e kanë goditur atë për shkak të detyrës, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Ndaj tyre është ngritur akuza e “Goditjes për shkak të detyres” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, ndërsa ka dyshime të forta se mund të jenë porositur nga përsona të tjere për të dhunuar drejtorin e OSHEE në Lezhë.
Identifikimi i autoreve të dyshuar të ngjarjes u bë falë metodave speciale të hetimit, përmes përgjimeve ambjentale dhe fokusimit të automjetit që kanë përdorur diten e ngjarjes, ndërsa hetimet po drejtohen nga Prokurori Sabri Kastrati.
Në cilësinë e proves materiale Shërbimet e Policisë sekuestruan, automjetin e përdorur nga 2 të arrestuarit, për kryerjen e kësaj ngjarjeje.
Drejtori i Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë Edmir Përndreca, u dhunua mbrëmjen e 30 nëntorit në rrugen Lezhë-Shënkoll. 43-vjeçari po lëvizte me makinën e OSHEE, teksa u godit nga pas qëllimisht nga një automjet tjetër pasi ishte ndjekur.
Pas goditjes, 2 shoferët si dhe 2 pasagjerët e automjetit tjetër janë konfliktuar, të cilët e kanë dhunuar fizikisht Drejtorin e OSHEE-së, duke i shkaktuar fraktura në kokë, krah dhe këmbë.