JiL.al - Jeto i Lumtur

Shfryhet dosja “Bilali”, vrasja e 2 vëllezërve pa autor. Gjykata dënon me 6 vite Arsen Stojkun si përkrahës të vrasësve…

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Arsen Stojku, njëri nga të arrestuarit e prokurorisë dhe policisë së Shkodrës, për vrasjen e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, është dënuar nga gjykata e këtij qyteti me 6 vite burgim për akuzën e “Përkrahjes së autorëve të krimit”.

Krimi i dyfishtë që tronditi Shkodrën, sot nuk ka asnjë autor para drejtësisë.

Treshja e gjyqtarëve Hasan Selimi, Izabela Radovani dhe Andri Ymeri, pak kohë më parë deklaruan fajtor dhe dënuan djalin e tezes së familjes Lici, si përkrahës i autorëve të krimit të dyfishtë dhe jo siç e akuzonte prokuroria për vrasje në rrethana cilësuese dhe mbajtjes pa lejë të armëve.

Për këto dy vepra penale, prokuroria kërkoi në gjykatë dënimin me 35 vite burgim të Arsen Stojkut, si personi që ka marrë pjesë në vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në 30 Mars 2019 në Shkodër.

Por pas disa seancave maratonë, në fund të procesit trupi gjykues vendosi të kualifikojë dy veprat penale nga “Vrasje në rrethana cilësuese” në “Përkrahje të autorëve të krimit”. Kjo pasi sipas gjykatës, i pandehuri Arsen Stojku, provohet se ka marrë me qira një automjet tip “Volsvagen”, të cilin e ka përdorur më pas në largimin e dy autorëve.

Por nuk provohet që ka marrë pjesë në vrasje. Ndër të tjera në vendim thuhet:

”…largimi i ekzekutorëve është bërë nga i pandehuri Arsen Stojku me automjetin e marrë me qira “Volksvagen”, i cili pas përdorimit i është kthyer pronarit të ligjshëm të tij. Nuk provohet veprimtari kriminale e Arsen Stojkut, në realizimin e vrasjes në asnjë formë të saj. Të vetmet veprime të provuara objektivisht në ngarkim të Stojkut, janë veprimet e sipërcituara, ato të largimit të ekzekutorëve nga vendi i djegies së automjetit, që përdorën në vrasje. Kjo gjë nuk përbën një fakt të mjaftueshëm për të konkluduar në dijeninë, fajësinë dhe bashkëpunimin e tij në vrasje…”.

Nisur nga kjo situatë, tre gjyqtarët kanë krijuar bindjen juridike se Arsen Stojku duhet të shpallet fajtor për akuzën e “Përkrahjes së autorëve të krimit” duke e dënuar me 6 vite burgim dhe jo me 35 vite burg si kërkoi prokuroria.

“Ora News” mëson se akuza nuk ka qenë dakord me këtë vendim, pasi pak ditë më parë e ankimoi atë në Gjykatën e Apelit Shkodër.

Mësohet se për të njëjtën vepër penalë që u dënua Stojku, një vit më parë, gjykata shpalli fajtor dhe dënoi me 4 vjet e 6 muaj burgim Myslim Ramën, ndërsa shpalli të pafajshëm mikun e tij, Denis Brahimin.

Aktualisht Rama ka dalë nga burgu dhe është larguar jashtë Shqipërisë. Ndërsa për të dyshuar e policisë së Shkodrës, Ibrahim Lici, si autor i vrasjes së dy vëllezërve Bilali, prokuroria nuk ngriti asnjë akuzë.

Në procesin gjyqësor dëshmuan disa persona familjarë të Astrit dhe Brahim Bilalit, të cilët treguan rrethanat e ndodhjes së krimit dhe konfliktet e mundshme që mund të kenë shërbyer si motiv për vrasjen e dyfishtë.

Dëshmi para gjykatës ka dhënë bashkëshortja e viktimës Brahim Bilali, shtetasja Merita Bilali, e cila ka treguar se mëngjesit e 30 Marsit 2019, ka dalë nga banesa për të përcjellë vajzën e tyre që kishte një aktivitet shkollor dhe në këtë kohë bashkëshorti i saj, Brahim Bilali po bënte gati makinën për ta shoqëruar deri tek autobuzi.

Në një moment ka dëgjuar krisma armësh dhe ka dalë në dritare dhe ka parë tym dhe krisma armësh dhe aty është përpjekur të mbrojë vajzën tjetër që ishte në banesë.

Ajo ka dalë nga banesa kur ka dëgjuar vajzën tjetër duke bërtitur “…nanë kanë vra babën…”. Në kohën që ishte në ba nesë ka dëgjuar një person që thërriste tre herë “Tit Bilali…”, ”Tit Balili…”, “Tit Balili…”.

Kur ka dalë jashtë ka parë të vrarë Brahimin, brenda në oborrin e banesës, është afruar për të parë mos ishte gjallë por ai nuk reagonte. Ajo ka sqaruar se bashkëshorti Brahimi dhe ata si familje nuk kanë pasur probleme apo konflikte me asnjë person dhe nuk i kanë borxh kujt.

Ajo nuk është në dijeni nëse Astriti ka pasur probleme me ndonjë person por ata nuk I kanë borxh askujt. Këto dëshmi ajo ka bere edhe ne gjykim e pyetur ne cilësinë e dëshmitares.

Mes personave të pyetur është dhe bashkëjetuesja e viktimës Astrit Bilali, shtetësja Edlira Ranza. Kjo e fundit ka treguar në gjykatë ka pasur një parandjenjë të keqe. Pasi sipas saj, që nga koha e vrasjes së Arjan Verracakut, ata janë mbyllur si familje, pasi kishin dëgjuar në njerëz se Arjan Ferracaku është vrarë pasi ishte ngatërruar me djalin e Astrit Bilalit, Asmerin.

Ata janë mbyllur pasi nuk kanë ditur të kenë probleme, por ngaqë kishin dëgjuar nga njerëzit se Arjan Ferracaku është vrarë gabimisht pasi autorët kanë dashur të vrasin Asmer Bilalin dhe ky fakt i ka bërë të ngujohen.

Edlira Ranza, ka pohuar se nuk ka dijeni që Astriti të ketë pasur probleme me ndonjë person. Të nesërmen e varrimit, kanë shkuar për ngushëllime vëllezërit, Kujtim Verracaku dhe Hasan Verracaku dhe ata kanë marrëdhënie të mira me këto familje.

Në lidhje me vrasjen e dy vëllezërve Bilali, është pyetur në gjykatë dhe vëllai i tyre Fatbardh Bilali, i cili jeton në Belgjikë me familjen e tij.

Me datë 30 Mars 2019 rreth orës 09:25, ka marë në telefon vëllain e tij Astrit Bilali dhe e ka pyetur për shëndetin dhe familjen dhe më pas, Astriti i ka thënë fol edhe me Brahimin, pasi e kishte afër dhe ai ka folur edhe me Brahimin, ku biseda ka zgjatur pak a shumë 5 minuta.

Gjatë bisedës ata i kanë thënë: “…jemi tek lokali…” por se tek cili lokal nuk e ka kuptuar. Pas rreth 5 minutash nga kjo bisedë, e ka marrë në telefon shtetasja Lili Çulaj, e cila ka një lokal aty afër dhe duke qarë i ka thënë “…Prej biletën, hajde se Titi e Baçi…” dhe më këto fjalë ka fikur telefonin.

Më pas, të nesërmen ka ardhur në Shqipëri dhe ka marrë vesh ngjarjen. Ai ka sqaruar se nuk e di kush janë autorët e vrasjes dhe se nuk ka dijeni për konflikte apo për arsyet e ngjarjes.

Gjatë telefonatave me Astritin, nuk i ka shfaqur asnjë shqetësim por vetëm për djalin e tij, Asmerin që e ka në burg dhe djalin tjetër Bilalin të sëmurë. Në dijeninë e tij, dy vëllezërit e tij nuk kanë pasur probleme apo konflikte me asnjë person dhe nuk ka dyshime për shkakun e vrasjes.

Ai ka jetuar prej shumë vitesh jashtë shteti dhe nuk e di çfarë mund të ketë ndodhur në vitet e fundit. Ndërsa siç ka shpjeguar në gjyq, me familjen Lici, janë rritur në një lagje dhe në rastin e vdekjes dhe në varrim apo më pas, nuk ka ardhur asnjë pjesëtar i kësaj familje.

Me Kujtim Verracakun, ka dijeni që vëllezërit e tij kanë pasur marrëdhënie të mira. Nuk mban mend nëse Kujtimi, ka shkuar në varrim, por të nesërmen e varrimit ka qenë për ngushëllim vëllai i Kujtim Verracakut, por nuk e din se cili prej tyre. Askush nuk i ka dhënë ndonjë motiv për ngjarjen e ndodhur.

Scroll to Top