Një person humbi jetën ndërsa dy të tjerë mbetën të lënduar, një prej të cilëve minoren për shkak të një zjarri që përfshiu gjatë natës një qendër komunitare për djem në Santa Caterina di Pasian, në Prato (Udine).
Viktima është një 17-vjeçar shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Ndërsa të lënduar kanë mbetur një punonjës dhe një 16-vjeçar nga Gana, i cili u transportua me helikopter drejt spitalit të Veronës. Ai mësohet se është në gjendje të rëndë.
Ngjarja e rëndë, sipas asaj që shkruan agjencia italiane e Lajmeve ANSA, ndodhi rreth orës 02:30, për shkaqe ende për t’u sqaruar.
Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
“Viktima është një djalë 17 vjeç, një djalë i ri shqiptar që ishte tek ne prej gati 1 viti. Ishte një djalë shumë i mirë”, tha për ANSA Michele Lisco, përgjegjësi i komunitetit për të rinj ku ndodhi zjarri. “Jemi të gjithë të tronditur. Momentalisht po përpiqemi të kuptojmë cilat kanë qenë shkaqet e rënies së zjarrit”, shtoi ai.
“Dëgjuam britma gjatë natës, dolëm dhe godina ishte e mbuluar nga tymi. Dëgjonim ulërimat e djemve, por nuk ndërhynim dot. Pati nga ata që u hodhën dhe nga dritarja”, rrëfen vajza e përgjegjësit, Lucrezia Lisco.
Ajo flinte në një apartament pranë godinës dhe u zgjua nga britmat e të rinjve që qëndronin në qendër. “Jemi të tronditur, nuk e dimë se çfarë ka ndodhur”, shtoi ajo.
Hetimet për ngjarjen po zhvillohen nga Karabinierët e Udines.