Pala shqiptare thotë se nuk ka akoma të dhëna nga autoritetet shëndetësore kineze për shtamet e virusit përgjegjës
Udhëtarëve nga Kina në Australi po u kërkohet të paraqesin një test negativ të koronavirusit pas mbërritjes në disa vende të botës, përfshirë Australinë e largët, raporton noa.al.
Më herët këtë vendim e njoftuan Kanadaja, Spanja, Franca, Koreja e Jugut, SHBA, India, Japonia, Italia etj. Ato e kanë bërë të detyrueshme paraqitjen e testit Covid për infeksionin SARSCov2, për ata udhëtarë që vijnë nga Kina.
Shpërthimi në fillim të dhjetorit, i numrit të infektimeve me virus në Kinë pas përfundimit të politikës “zero COVID”, po shkakton shqetësim global në rritje.
Ajo që habit në mediat perëndimore është se gjatë gjithë kësaj kohe, kritikonin dhe konsideronin absurde politikën e shtetit kinez për zero kovid.
Ndryshimi i kursit që bëri Kina muajin që lamë pas, u shoqërua me shqetësim dhe kritika në perëndim. Shtetet nga njëra anë reaguan duke rikthyet testet e detyrueshme dhe mediat nga ana tjetër e quajtën vendim të papritur që pasoi rritjen e rasteveve të infektimeve me kovid.
Në Shqipëri, Komiteti Teknik i Ekspertëve të menaxhimit të pandemisë Covid 19, tha në mbledhjen e para ndërrimit të viteve de ka ndjekur me vëmendje dhe në vazhdimësi dinamikën e situatës epidemiologjike të infeksionit Sars Cov 2 dhe sëmundjes Covid 19.
Situata aktuale në vend paraqitet e kontrolluar. Mesatarja e rasteve të reja ditore javën e fundit e cila është edhe java e 51 e këtij viti, është 18 raste të reja ditore. Incidenca dy javore është 8 për 100. 000. Ndërsa numri i rasteve aktive sot në Shqipëri është 197. Janë 2 pacientë të shtruar në Spitalin Infektiv dhe asnjë në njësitë e kujdesit intensiv.
Në lidhje me vaksinimin në Shqipëri deri me sot janë aplikuar rreth 3,282,000 doza dhe popullsia target për vaksinimin sot paraqitet e vaksinuar në masën 60.8%.
Një situatë e stabilizuar paraqitet edhe në rajon e në Evropë. Por, prej disa ditësh ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve të reja ditore në Kinë, shoqëruar kjo edhe me shtrime në spitale dhe në njësitë e kujdesit intensiv.
Pala shqiptare thotë se nuk ka akoma të dhëna nga autoritetet shëndetësore kineze për shtamet e virusit përgjegjës.
Qendra Europiane e Kontrollit dhe Parandalimit te Sëmundjeve ose ECDC, si edhe Komisioni i Sigurise i KE dhe ai i Mbreterisë së Bashkuar), për momentin nuk e shikojnë me risk të lartë shpërthimin e një vale të re epidemie, por për faktin që virusi qarkullon edhe në Evropë, rekomandon vazhdimin e ndjekjes së kujdesshme të dinamikës së kësaj situate.
Edhe komiteti shqiptar i ekspertëve, pasi analizoi situatën epidemiologjike, në vend, në Evropë edhe më tej, vlerëson se do të vazhdojë të monitorojë me shumë kujdes dinamikën e kësaj situate, dhe do të vlerësojë masat e marra nga vendet e tjera dhe rekomandimet e ECDC dhe të OBSH-së.
“Do të vlerësojmë hap pas hapi nevojën për masa shtesë në përputhje me dinamikën e zhvillimit të situatës epidemiologjike”, tha ky komitet.
Aktualisht në Kinë ka rreth 70 mijë të infektuar, ndër të cilët rreth 2 500 janë në gjendje të rëndë. Ndër 424 mijë të infektuar sipas shifrave zyrtare, kanë vdekur mbi 5250 persona.
/noa.al