Gjendja e rrugës Qafë Buall- Krastë vijon të jetë shqetësimi më i madh për banorët e Njësisë Administrative Martanesh. Ky aks rrugor është i gjatë 16 kilometra, por që kalohet me vështirësi në çdo stinë të vitit. Për shkak se ai është thuajse i gjithi i paasfaltuar, mjetet e kanë të vështirë të qarkullojnë në të.
Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Edhe pse mbushen gropat me zhavorr, sapo të ketë reshje shirash ato rikthehen për shkak se kalojnë me dhjetëra automjete që transportojnë krom nga minierat e Martaneshit në drejtim të Durrësit.
Por jo vetëm kaq, gjendja e përgjithshme e kësaj rruge është e pasigurt për përdoruesit e saj. Këtë fakt e tregojnë edhe një numër i madh lapidarësh që janë ndërtuar në të 16 kilometrat e saj.
Në këtë rrugë janë shënuar në kohë të ndryshme mbi 30 viktima si pasojë e aksidenteve rrugore. Banorët e Krastës paralajmërojnë se nëse nuk ndërhyhet në infrastrukturë, ata do të shkojnë drejt bojkotit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 14 maj të këtij viti.
Muharrem Mali, kryetar i fshatit Ndërfushas thotë se jo vetëm gjendja e rrugës kryesore e Martaneshit është e tillë, por edhe e fshatrave. Mali shprehet se nëse nuk ndërhyhet në infrastrukturën rrugore, atëherë ai bashkë me banorët e tjerë, nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore.
Për banorët e Martaneshit zgjidhja e vetme për rrugën kryesore është asfaltimi i saj, vendosja e barrierave mbrojtëse metalike dhe rrjetave që pengojnë rënien e gurëve./ Marrë nga BW