“Obelisku i zi”, mendoj se është romani më i bukur i Remark, edhe pse ndër veprat e tij më të arrira rendisin “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. I kam lexuar të dy këta romane, bashkë me shumë të tjerë të të njëjtit autor: “Kohë për të jetuar dhe kohë për të vdekur”, “Tre shokë”, “Harku i triumfit” etj. Por në veçanti më ka bërë përshtypje “Obelisku i zi”. I shkruar bukur, si çdo vepër tjetër e Remark, në këtë roman ai vendos në qendër Ludvikun dhe Izabelën.
Romani vendoset në periudhën pas Luftës së Parë Botërore, kur ende ndiheshin pasojat e inflacionit. Ludviku punonte në një firmë që merrej me varrimet dhe përgatitjen e qivureve për të vdekur. Jeta e tij i dukej e pakuptimtë, mendonte se kishte shumë më tepër në jetë për të përjetuar, se sa puna që bëntë. Jeta e Ludvikut filloi të merrte kuptim kur njohu Izabelën, një vajzë të re e të bukur, edhe pse e prekur nga demenca. Përshkrimet fantastike të ndjenjave të të rinjve, harresa e Izabelës dhe mundimet e Ludvikut, janë disa nga aspektet që e bëjnë këtë roman të jashtëzakonshëm, krahas gjuhës së pasur të autorit dhe përkthimit fantastik të Robert Shvarc. Një nga fragmentet më të bukur është dhe i mëposhtmi:
“Unë s’di ta luaj pjesën për së mbari, as në piano dhe as në jetë. Kurrë, kurrë s’kam ditur; gjithmonë kam qenë tepër i rrëmbyer, gjithmonë tepër i paduruar, gjithmonë më futej diçka në mej, gjithmonë më këputej diçka… po cili është ai që di ta luajë pjesën ashtu siç duhej dhe, në qoftë se di, për çfarë do t’i hyjë në punë? Mos vallë mjegulla e dendur do të jetë pastaj më pak e dendur, pyetjet pa përgjigje do të jenë pastaj më pak të pashpresa, dëshpërimi për shkak të pafuqisë së përjetshme do të përvëlojë pastaj më pak dhimbshëm dhe do të mund ta shpjegosh e ta rrokësh e ta kalërosh pastaj jetën si një kalë të zbutur – apo jeta do të shëmbëllejë përherë me një vel të stërmadh mes shtrëngatës që na mban dhe qëm sapo të zgjasim dorën për ta prekur, na flak në tallaze? Më hapet ndonjëherë një hon përpara syve, që duket sikur zgjatet deri në qendër të tokës. Me çfarë mund të mbushet? Me mall? Me dëshpërim? Me lumturi? Po me ç’lumturi? Me kapitje? Me dorëzim? Me vdekje? Përse jetoj unë? Po, përse jetoj vallë?”
Jeto I Lumtur