
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për përgjimet e publikuar ditët e fundit mbi vrasjet e 21 janarit 2011, lëvizje kjo që duket se ka tronditur pozitat e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili akuzohet si arkitekt i kësaj masakre.
Edhe pse kanë kaluar 12 vite kur u vranë 4 persona në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, familjarët e viktimave dhe politika sidomos socialistët ende kërkojnë drejtësi. Mirëpo në këtë përvjetor pati një zhvillim të fortë, pasi gazetari Artan Hoxha publikoi një audio-përgjim mbi bisedat që kanë zhvilluar gardistët.
Kreu i Gardës Ndrea Prendi dëgjohet kur jep urdhër për të vrarë dhe Prokuroria e Tiranës ka njoftuar pak më parë se ka nisur verifikimet mbi këtë audio-përgjim. Vetë prokuroria është duke hetuar vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe audio-përgjimi shihet si një provë e re që mund të rihapë në themel hetimet.
Por nëse ndodh kjo, atëherë rrezikohen Sali Berisha dhe të gjithë ata që vranë 4 të pafajshëm në 21 Janar të vitit 2011. Ndërkohë burime për gazetën “SOT” nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se i është lënë detyrë Policisë së Shtetit që ta sekuestrojë materialin e përmendur.
“Në vitin 2021 është vendosur rifillimi i hetimeve të pezulluara dhe kryerja e veprimeve hetimore me qëllim zbulimin e autorit të vrasjes së shtetasit A.N (Aleks Nika)dhe H.D (Hekuran Deda), për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr.100, të shpallur në dt.07.02.2013, ka vendosur deklarimin të pafajshëm të pandehurit A. Ll, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje, të kryer kundër dy ose më shumë personave”, me pasojë të drejtpërdrejtë vdekjen e të ndjerit H.D.
Me kryerjen e veprimeve hetimore të këtij procedimi penal janë ngarkuar Oficerët e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët krahas detyrave të urdhëruara prej prokurorëve të ngarkuar me hetimin, do të kryejnë edhe veprimet hetimore të deleguara në lidhje me verifikimin e fakteve të publikuara prej shtetasit A.H (gazetar), fakte të bëra publike prej tij në emisionin “Zona Zero”, më datën 20.01.2023, në televizionin “Top Channel””, njoftoi dje prokuroria.
Akuzat që rëndojnë mbi Berishën
Sali Berisha, Lulzim Basha dhe ish komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi janë nga sot të kallëzuar në SPAK për akuzën e rëndë të ‘vrasjes në rrethana cilësuese’ por edhe ‘të shpërdorimit të detyrës’. Por sa rrezikojnë ata të dënohen nëse do të shpalleshin fajtorë pas një hetimi të SPAK.
Neni 79 i Kodit Penal parashikon për këtë akuzë nga 25 vite burg deri në burgim të përjetshëm. Në rastin e Berishës, Bashës dhe Prendit ata do të dënoheshin sipas pikës ‘dh’ të këtij neni, pra vrasje kundër dy ose më shumë personave.
Neni 79/ Vrasja në rrethana të tjera cilësuese
(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001; ndryshuar shkronja “c” me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004; shtuar nenet 79/a, 79/b, 79/c me ligjin nr. 144/2013, datë 2.5.2013; shfuqizuar shkronja “c” me ligjin nr. 144/2013, datë 2.5.2013)
Vrasja me dashje e kryer:
a) ndaj të miturit;
b) ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë ose shtatzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;
c) shfuqizuar;
ç) ndaj kallëzuesit, dëshmitarit, të dëmtuarit ose palëve të tjera ndërgjyqëse;
d) më shumë se një herë;
dh) kundër dy ose më shumë personave;
e) në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës;
ë) në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.
Reagon gazetari që u plagos në “21 janar”
Nga ana tjetër, gazetari Fatos Mahmutaj, një nga persona e mbetur të plagosur 12 vite më parë nga protesta famëkeqe e “21 janarit”, në një interviste televizive u shpreh dje skeptik për hetimet lidhur me çështjen. Çuarjen e “21 janarit” në SPAK, pas daljes së audio-përgjimeve të nxjerra nga gazetari Artan Hoxha, Mahmutaj, e sheh me pesimizëm.
“Nuk u befasova nga provat se aty kanë qenë për 12 vjet. Nuk mungonin por ishin anashkaluar qëllimisht nga grupi i hetimit. I publikoi Artan Hoxha. Gjithsesi do thoja që nuk më befasojnë se ka dhe prova të tjera akoma më shumë se kaq, që do kenë fatin e provave që u anashkaluan qëllimisht.
Nuk jam aspak optimist për këtë çështje. Se është kjo mazhorancë që aprovoi nenin që ia shtoi për rihapjen e hetimeve. U bë enkas për incidentet e 21 janarit.
Qoftë për 3 ekzekutorët Ndrea Prendi, Agim Llupo, ata të gardës së Sali Berishës, qoftë dhe vetë Berisha e Basha, të pestë janë ekzekutorët e kësaj masakre”, deklaroi Mahmutaj.