Një oficer policie tregoi para gjykatës momentin kur një burrë pranoi vrasjen e partneres dhe varrosjen e trupit të saj nën dysheme, në kuzhinë. Andrew Innes 52 vjeç, e mohon vrasjen e Bennylyn Burke, 25-vjeçe dhe vajzën e saj 2-vjeçe, Jellica dhe po mbrohet me argumentin e çrregullimeve mendore. Aktualisht 52-vjeçari përballet me proces gjyqësor për vrasje në Gjykatën e Lartë të Edinburgh të Skocisë.
Pikërisht në seancën e radhës ndaj tij, në gjyq u thirrën për të dëshmuar dy oficerë policie, 33-vjeçari Gavin Burns dhe Rhianne Brogan, 29-vjeçe. Ata thanë se kishin shkuar në shtëpinë që ndodhej në Troon Avenue, Dundee më 5 Mars të 2021, për kontroll, si pjesë e një hetimi të konsideruar me rrezik të lartë, për zhdukje personi.
Autoritetet po kërkonin për nënën e re dhe vajzën e saj dhe besonin se mund të kishte udhëtuar në veri të kufirit me makinën e Innes, që ishte identifikuar nga autoritetet se kishte udhëtuar nga Bristol, (Angli) drejt Dundee (Skoci).
Oficeri Burns tha para gjykatës se kur kishte hapur derën, Innes ishte shfaqur disi ngurues, kishte deklaruar se kishte Covid.
“E njoh Bennylyn, por ajo është në Glasgow”, u tha ai fillimisht oficerëve. Këta të fundit arritën të futeshin në shtëpi. Shtëpia ishte rrëmujë. Dollapët në kuzhinë ishin hequr, një pjesë e dyshemesë ishte e hequr dhe kishte po ashtu shenja çimentoje.
Innes pranoi se 25-vjeçarja kishte udhëtuar drejt Dundee me të. Dyshja ishte njohur online, në një faqe takimesh/njohjesh. Duke folur me oficeren e policisë Brogan, ai tha se kishte parë “me dhjetëra mesazhe në WhatsApp-in e Burke nga meshkuj të ndryshëm”.
Ai u tha oficerëve po ashtu se “ajo kishte një takim të hënën. Aty kuptova se unë isha një nga 50 meshkujt me të cilët ajo bisedonte”.
Më pas 52-vjeçari pretendoi se i kishte dhënë fund lidhjes dhe se e kishte lënë të renë bashkë me vajzën në një kafene në Lanarkshire, në shoqëri të një mashkulli tjetër.
Por pasi oficeri Burns vijoi ta merrte në pyetje, ai mësohet se pranoi krimin: “E vrava, është nën dysheme. U zumë dhe e vrava”.
Trupi gjykues më herët mësoi se Burke, me origjinë nga Filipinet, kishte jetuar në Bristol, pasi ishte martuar me 65-vjeçarin Lexington Burke, në Gusht të 2019-s. Duke folur në gjykatë, 65-vjeçari tregoi se më pas marrëdhënia ishte ftohur. Bashkëshorti i saj do të merrte vajzën më 19 Shkurt të 2021, por nuk po arrinte të kontaktonte me 25-vjeçaren. Duke e konsideruar si diçka të pazakontë, ai kontaktoi policinë. “Shqetësimi kishte arritur në maksimum”, tregoi ai
Sipas asaj që shkruan Sky News, Innes e goditi Burke me thikë në trup, si dhe me çekiç në kokë disa herë. Vajzën e vogël e mbyti e më pas të dy trupat i varroni nën dyshemenë e kuzhinës së tij.
Gjyqi ndaj tij vijon./tvklan.al