JiL.al - Jeto i Lumtur

Djegia e Kuranit bllokon rrugën e Suedisë drejt NATO-s. Turqia: Tani shiheni me dylbi Aleancën!

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Planet e Suedisë, por edhe Finlandës, për t’u anëtarësuar shpejt në NATO, kanë hasur në pengesa. Turqia – si vend anëtar i aleancës me të drejtë vetoje – ka shtyrë për kohë të pacaktuar bisedimet e anëtarësimit.

Kjo, pasi një politikan i ekstremit të djathtë në Suedi ka djegur një kopje të Kuranit – librit të shenjtë islamik – jashtë Ambasadës turke në Stokholm, më 21 janar.

Në lejen që Rasmus Paludan ka marrë nga policia, është thënë se protesta e tij është “kundër Islamit” dhe “kundër përpjekjeve të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, për të ndikuar lirinë e shprehjes në Suedi”.

Incidenti ka shkaktuar zemërim dhe protesta në botën myslimane, ndërsa Erdogan ka porositur Suedinë që të mos presë mbështetje nga Turqia për anëtarësim në NATO.

“Nëse vërtet i respektoni të drejtat dhe liritë, duhet të respektoni edhe Republikën e Turqisë dhe besimet fetare të myslimanëve. Nëse nuk e tregoni këtë respekt, më vjen keq, ju nuk do të keni mbështetje nga ne për anëtarësim në NATO”, ka thënë Erdogan.

Suedia dhe Finlanda, me dekada, kanë qenë ushtarakisht neutrale. Por, lufta e Rusisë në Ukrainë ka ndryshuar pikëpamjet e tyre për sigurinë.

Finlanda ka një kufi prej 1.300 kilometrash me shtetin rus, ndërsa ishulli suedez i Gotlandit gjendet vetëm 300 kilometra larg enklavës ruse të Kaliningradit, ku edhe është e pozicionuar Flota Baltike e Rusisë.

Kështu, të dyja vendet – me ushtri relativisht të forta – e kanë parë NATO-n si mekanizmin më të mirë për garantimin e sigurisë së tyre. Ato kanë aplikuar bashkërisht për anëtarësim në maj të vitit të kaluar.

Çavuşoğlu: Suedia po rrezikon ‘qëllimisht’ anëtarësimin e saj në NATO duke lejuar provokimet terroriste

Suedia po shkel “qëllimisht” mbi minat e vendosura nga organizatat terroriste në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, tha sot ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu, duke iu referuar provokimeve të fundit terroriste në Suedi.

“Organizatat terroriste po hedhin mina në rrugën e anëtarësimit të Suedisë në NATO. Suedia po shkel qëllimisht mbi këto mina. Ato mund t’i pastrojnë ato nëse duan”, tha Çavuşoğlu në një takim të partisë AK në qytetin Alanya.

Në lidhje me provokimet e grupeve terroriste kundër Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdoğan në Suedi, Çavuşoğlu tha: “I takon Suedisë të vendosë nëse do të pastrojë minat apo do t’i shkelë. Nëse shkel, do të shpërthesh”.

Organizatat terroriste po “bredhin në vendin tuaj”, tha ai, duke shtuar nëse Suedia përmbush angazhimet e saj sipas memorandumit trepalësh për anëtarësimin e saj në NATO, “ne ulemi, flasim dhe mbajmë fjalën”.

Sipas memorandumit të nënshkruar qershorin e kaluar mmidis Turqisë,  Suedisë dhe Finlandës, të dy vendet nordike u zotuan të ndërmarrin hapa kundër terroristëve për të fituar anëtarësimin në aleancën e NATO-s.

Në marrëveshje, Suedia dhe Finlanda ranë dakord të mos ofrojnë mbështetje për grupet terroriste si PKK dhe degët e saj, dhe organizatën terroriste FETO, si dhe të ekstradojnë të dyshuarit për terrorizëm në Turqi.

Turqia, qysh në fillim, ka qenë kundër anëtarësimit të tyre në NATO, duke i akuzuar dy vendet nordike për strehimin e militantëve kurdë, që kërcënojnë shtetin turk. Stokholmi dhe Helsinki i kanë hedhur poshtë akuzat. Megjithatë, në muajin qershor, së bashku me Ankaranë, ata kanë nënshkruar një marrëveshje trepalëshe që adresonte disa nga shqetësimet e Turqisë.noa.al

Scroll to Top