JiL.al - Jeto i Lumtur

Eksplozivi në hotelin e drejtorit në Sarandë, shoqërohen 10 persona

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Dhjetë persona janë shoqëruar për shpërthimin me tritol në hotelin  “Yacht” në pronësi të drejtorit të FSKDSH-së, Mariel Murati në Sarandë. Sasia e eksplozivit ishte vendosur në garazhin e hotelit dhe nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale.

Eksplozivi shpërtheu sapo roja i godinës ndezi dritën, pasi ishte lidhur me energjinë elektrike.

Ndërkohë që burimet bëjnë me dije se Mariel Murati, pronari i hotelit, ka deklaruar në polici mbrëmjen e së mërkurës, në 29 qershor 2022, se nuk e di kush mund të jetë autori, pasi ai nuk ka konflikt me asnjë. “Nuk kam konflikt me askënd”, deklaroi Murati para uniformave blu, për ngjarjen e mbrëmjes së të mërkurës.

Më herët Murati ka mbajtur edhe postin e Drejtorit të Kadastrës në Sarandë.

Lënda plasëse ishte vendosur në garazhin e hotelit ‘Yacht Premium Hotel’, i cili është në pronësi të Mariel Muratit. Sipas policisë sasia e lëndës plasëse ka qenë e vogël dhe nuk ka dëme të shumta materiale. Po ashtu nuk raportohet për të lënduar në njerëz. Hoteli ndodhet në linjën e parë të detit në anën e ankorimit të jahteve dhe të trageteve në portin e Sarandës.

Kjo është hera e dytë që hotelit në pronësi të Mariel Muratit i është vendosur tritol, kjo pasi edhe një vit më parë në shkurt të vitit 2021, i kanë vendosur lëndë plasëse në hotel.

Scroll to Top