Ishte data 9 janar e vitit 2004, kur një grup shqiptarësh të dëshpëruar, mes tyre gra dhe fëmijë, morën rrugën përmes detit, me një gomone, për të ikur nga ky vend, në përpjekje për një jetë më të mirë.
Në gomonen e tragjedisë, një nga ngjarjet më tragjike të emigracionit klandestin në historinë paskomuniste të Shqipërisë, ndodheshin 39 vetë.
Ndërsa lundronin nën acar në ujërat e detit Jon, me destinacion të ëndërruar Italinë, gomonia u mbyt.
Bashkë me të u zhdukën edhe 28 njerëz. Prej tyre, 21 u gjetën të vdekur, nga një helikopter i NATO-s, një ditë më pas.
Ndërsa 7 të tjerë, nuk u gjetën kurrë.
Nga gomonia shpëtuan gjithsej 11 njerë, përfshirë këtu edhe skafistët.
Ajo ngjarje ishte drithëruese dhe shtroi shunë pikëpyetje. Një prej tyre ishte implimimi shtetëror. Ka akuza se në të janë implikuar edhe zyrtarë të lartë të policisë së asaj kohe.
Edhe pse kanë kaluar 20 vjet, ngjarja nuk është zbardhur. Familjarët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
Ata thonë se “pa zbardhur tragjedinë e 9 janarit nuk mund të ketë drejtësi në vendin tonë”.
Me këtë mesazh i janë drejtuar shtetit shqiptar familjarët e 28 viktimave të 9 janarit 2004.
Nikoll Mëhilli i shoqatës me të njëjtin emër thotë se prej 20 vitesh enden në dyert e institucioneve të drejtësisë pa marrë asnjë përgjigje.
Kalvari përfshiu Krimet e Rënda dhe vitet e fundit SPAK-un, por asgjë nuk ka ende nga ky hetim që zor se do të zbardhet ndonjëherë.
E ndërsa ngjarja nuk është zbardhur, familjarët as janë kompensuar, siç do të duhej për të zbutur sado pak dhimbjen e madhe. Në ngjarje të tjera si 21 janari 2011, të afërmit e viktimave kanë gjetur mbështetje të vazhdueshme nga shteti, por për familjet e të zhdukurve në det, kompensimi as që është konsideruar ndonjëherë. /noa.al