JiL.al - Jeto i Lumtur

AAK thotë se s’do të votojë asnjë ligj pa u proceduar pagat në arsim

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) thotë se nuk do ta votojë asnjë ligj ose marrëveshje ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, nëse Qeveria nuk i ekzekuton pagat për punonjësit e sistemit të arsimit.

Kështu tha Besnik Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të AAK-se, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës.

“Është e pamundur që ky Kuvend dhe ky kabinet të sillet më kaq lehtësi dhe më kaq krenari ndaj një situate të jashtëzakonshme.

Merreni vesh, rreth 30 mijë njerëz sot presin një vendim, një rezolutë nga ky Kuvend, për t’ua dhënë pagat, për ta kthyer në normalitet arsimin parauniversitar”, tha ai.

Qeveria ka ekzekutuar pagat për shërbyesit civil, por jo edhe për mësimdhënësit.

Qeveria e Kosovës e arsyeton vendimin për mosekzekutimin e pagave për grevistë duke u thirrur në Ligjin për greva të Kosovës.

Në këtë ligj, përkatësisht në nenin 18, thuhet se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.

Mësimdhënësit dhe shërbyesit civil kanë qenë në grevë me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj, derisa të hyjë në fuqi Ligji i ri për paga.

Edhe partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë kritikuar qeverinë për ndalimin e pagave të mësimdhënëseve, siç është thënë “ në kohë e krize”.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), organizata kjo që ka thirrur grevën, ka parajmëruar se do ngrehë padi ndaj Qeverisë së Kosovës.

Në Kosovë janë rreth 23 mijë mësimdhënës të sistemit parauniversitar.

Mësimdhënësit në shkollat fillore paguhen 470 euro në muaj, ndërsa ata në shkollat e mesme marrin nga 530 euro në muaj. /REL

Scroll to Top