
SPAK ka lëshuar urdhër arrest për Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si ‘Rrumi’ i Sukthit.
Mësohet se urdhër-arresti për Lahon u lëshua pas akuzave për korrupsion, dhe tjetërsim të pronave në zonën e Gjirit të Lalzit. Po ashtu është firmosur arrest shtëpie edhe për Irgen Kërçukun.
Rrumi është një personazh shumë i përfolur për lidhjet e tij me botën e krimit, ndërkohë që emri i tij u përmend edhe gjatë atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji.
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar kët
Aktualisht Laho është shpallur në kërkim, ndërkohë që policia po vijon kontrollet për ekzekutimin e urdhrit të SPAK.
Njoftimi zyrtar i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr.235 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kjo e fundit kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 259, 244, 248, 186, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. nr.76 datë 20.10.2022 ndërmjet të tjerave ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim I. K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin A.L. (alias P.M.), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 dhe 25 i Kodit Penal.
Në datën 22.11.2022, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ekzekutoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj I.K., ndërsa vazhdojnë kërkimet me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit A.L. (alias P.M.).
Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.
Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 409 datë 30.10.2021 ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe toke prej rreth 200 000 (dyqind mijë) metra katrorë që gjendet në zonën e quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.
Po ashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, me vendimin nr.497, datë 18.11.2022, ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe prej 203 100 (dyqind e tre mijë e njëqind) metra katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës.
Vazhdojnë hetimet në lidhje me evidentimin e fakteve penale dhe personave të përshirë në këtë aktivitet kriminal.