Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Duke zbritur deri në 40 metra nën Detin Baltik, tuneli më i gjatë nënujor në botë do të lidhë Danimarkën dhe Gjermaninë, duke shkurtuar kohën e udhëtimit midis dy vendeve kur të hapet në vitin 2029.
Pas më shumë se një dekade planifikimi, ndërtimi filloi në vitin 2020.
“Pritja është që linja e parë e prodhimit të jetë gati në fund të vitit, ose në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Henrik Vincentsen, CEO i Femern A/S, kompania shtetërore daneze përgjegjëse për projektin.
Tuneli, i cili do të jetë 18 kilometra i gjatë është një nga projektet më të mëdha të infrastrukturës në Evropë, me një buxhet ndërtimi prej mbi 7 miliardë euro.
Ai do të ndërtohet përgjatë Brezit Fehmarn, një ngushticë midis ishullit gjerman të Fehmarn dhe ishullit danez të Lolland, duke u projektuar si një alternativë ndaj transportit me tragete, që përdoret nga miliona pasagjerë çdo vit.
Udhëtimi që tani zgjat 45 minuta me traget, do të zgjasë vetëm 7 minuta me tren dhe 10 minuta me makinë.
Fehmarnbelt Fixed Link do të jetë tuneli më i gjatë në botë, rrugor dhe hekurudhor. Ai do të përbëhet nga dy autostrada me dy korsi dhe dy shina hekurudhore.
“Sot, nëse do të bëni një udhëtim me tren nga Kopenhaga në Hamburg, do t’ju duheshin rreth katër orë e gjysmë.
Kur të përfundojë tuneli, i njëjti udhëtim do të zgjasë dy orë e gjysmë. Përveç këtyre avantazheve, tuneli do të ketë ndikim pozitiv edhe në transportin e mallrave, pasi krijon një rrugë tokësore midis Suedisë dhe Evropës Qendrore, që do të jetë 160 kilometra më e shkurtër se sot”, tha Jens Ole Kaslund, drejtor teknik në Femern A/S, kompania shtetërore daneze
Projekti daton që nga viti 2008, kur Gjermania dhe Danimarka nënshkruan një traktat për ndërtimin e tunelit.
Më pas, u desh më shumë se një dekadë që të miratohej legjislacioni i nevojshëm nga të dyja vendet dhe të kryheshin studime të ndikimit gjeoteknik dhe mjedisor.
Procesi përfundoi pa probleme nga pala daneze, ndërsa në Gjermani një numër organizatash, kompani tragetesh apo grupesh mjedisore kundërshtuan ashpër miratimin e projektit.