Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Pas denoncimit se dy edukatore kanë dhunuar fizikisht 3 fëmijë rezident në “Shtëpinë e Fëmijës” Vangjel Pulla në Sarandë, drejtuesit nuk pranojnë të komentojnë.
Ndërkohë në Drejtorinë e Shërbimit Social në Bashkinë e Sarandës janë njohur me rastin para se të bëhej publik.
Drejtorja e këtij Shërbimi, Anila Pikuli, thotë se një grup monitorimi i ngritur për këtë rast ka arritur në konkluzion se ndaj të vegjëlve nuk ka pasur dhunë.
“Pjesë e grupit të monitorimit ka qenë dhe bashkia Sarandë. Rezultatet e grupit të monitorimit kanë nxjerrë konkluzion se nuk është ushtruar dhunë në Shtëpinë e Fëmijës”.
Pas denoncimit të nënës në komisariatin nr 3 në Tiranë, Prokuroria e Sarandës ka nisur një hetim në gjende të lirë për dy kujdestarët e dyshuara.
Përballë dyshimeve për një skandal dhune në një institucion të kujdesit për të mitur edhe Bashkia e Sarandës angazhohet se do të ngrejë një tjetër grup pune.
“Me urdhër të kryetarit ka ngritur sërish një grup pune i cili do të verifikojë jo vetëm momentalisht rastin, por do ta ndjekë në vazhdimësi.”
Ndër vite në Shtëpitë e Fëmijëve në vend janë zbuluar disa raste të rënda të abuzimit dhe keqtrajtimit të të miturve që mbahen në këto institucione.