Dosjet “përvëluese” që ka në dorë SPAK trembin Berishën, kreu i “Foltores” sulmon ashpër prokurorët specialë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Merr lajme ekskluzive  

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë  duke klikuar këtu

Hapja e shumë dosjeve “përvëluese” nga ana Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, të cilat rëndojnë mbi familjen “Berisha”, duket se kanë alarmuar ish-kryeministrin Sali Berisha.

E para është ajo e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”,  tjetra është dosja e “Gërdecit”. Por teksa hetimet për dosjet e familjes së tij po thellohen nga ditë në ditë, ish-kryeministri është hedhur në sulm ndaj prokurorëve.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët dje, Berisha akuzoi prokurorët se janë të kapur nga korrupsioni. Edhe pse ai u ndal te zgjedhja e Altin Dumanit dhe hetimet për inceneratorët, duket se meraku i Berishës është te zhvillimet e ditëve të fundit. SPAK prej disa ditësh po merr në pyetje personat që kanë dijeni për aferën me Kompleksin “Partizani”, ndërkohë që po ashtu zhvillime ka dhe për Gërdecin.

“Unë denoncova betejën e hapur që u zhvillua midis kryeministrit dhe ambasadores Kim për kreun e SPAK, çka e bëri këtë proces të denjë për realizmin fantastik të Garsia Makesit. Unë e mbylla që njëri quhet Damian dhe tjetri Taulant.

Ai është një instrument i partisë. Siç është zhytur partia në korrupsion, zhytet dhe seksioni i drejtësisë, “skapi”. Raste që thashë unë janë të vërteta. Të përjashtosh Subashin, të fshehësh dokumentet për Arben Ahmetajn brenda “skapit”, këtu tregon se aty vlojnë milionat e eurove të djegësave, ndryshe nuk mund të bëhej”, tha ish-kryeministri  Sali Berisha.

Kryefoltoristi: Monizmi përmbyset vetëm me revolucion

Më tej ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar mosbindje civile. Ai theksoi se qeveria “Rama 3” përmbyset vetëm me revolucion. “Të gjithë ata që patën iluzion, se u fol për marrëveshje, Edi Rama përdori të njëjtën skemë si në rastin e zgjedhjes së presidentit.

Bëri sikur po ia linte opozitës dhe në fakt u tall dhe nxori lakminë e tij të pafundme për pushtet dhe emëroi njeriun që deshi. Ky akt është dëshmi tjetër se monizmi përmbyset vetëm me revolucion”, u shpreh ai.

Teatri i ri, Berisha: Rama dhe Veliaj varrosën kushtetutshmërinë

Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar edhe kryeministrin Edi Rama si edhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Ai u shpreh se Rama së bashku me Veliajn në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses dhe çdo parim, varrosën dosjen e teatrit kombëtar.

Berisha theksoi se akti i Ramës dhe Veliajt ishte një varrosje e kushtetutshmërisë së vendit. “Edi Rama dhe Erion Veliaj, në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses dhe çdo parim, varrosën dosjen e teatrit.  ‘

Aktin më të shëmtuar dhe më antikombëtar që ka njohur vendi vitet e fundit. Nuk është këtu sfida ndaj një grupi ndaj Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, që janë në vlerësimin tim, qytetarë më kurajozë, artistë më besnikë ndaj krijimit të tyre, profesionit të tyre, por edhe ndaj rendit kushtetues të vendit. Akti i Ramës dhe Veliajt ishte një varrosje e kushtetutshmërisë së vendit.

Në këtë kontekst, ishte një grusht për çdo qytetar shqiptar. Unë u them atyre: se ai ndërtim nuk do pranohet kurrë dhe se përballja me regjimin do ketë një objektiv tjetër madhor, rivendosjen e Kushtetutës dhe rindërtimin e teatrit siç ka qenë në vendin ku ishte. Të gjitha këto dëshmojnë se regjimi ka humbur çdo parim, moral dhe ligj.

Revolucioni demokratik është i pashmangshëm”, tha ai. Po ashtu, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se teatri  do të ndërtohet ashtu si ka qenë më parë. Ai tha se godina do të rrafshohet dhe se do të bëhet gjithçka për ta penguar projektin e ri për ndërtimin e teatrit.“Do bëhet gjithçka që ai projekt të mos ndërtohet. Por do rrafshohet.

Aty do ndërtohet teatri siç ka qenë. Kjo nuk ka diskutim. Ai do rrafshohet, do i lëshojë rrugën teatrit siç ka qenë. Do bëhet gjithçka për ta penguar”, nënvizoi Berisha.

Scroll to Top