DIMAL- Më 23 Nëntor, emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi një ngjarje të pazakontë në Dimal. Mësuese Edlira Spahiu tregoi, se është dhunuar fizikisht nga titullarja e shkollës 9-vjeçare “5 Maji”, ku ajo punon. Edlira ka 12 vjet mësuese e Gjuhës Shqipe, por kur erdhi drejtoresha e re, Adelina Parangoni, ajo e zhvendosi për nxënësit me aftësi të veçanta.
Kur Edlira bëri ankesë në ZVA Dimal, drejtoresha reagoi me agresivitet, duke e dhunuar në dy parakrahët mësuese Edlirën. Edlira u ankua në Zyrën Arsimore, në policinë e Dimalit dhe u paraqit edhe te mjeku. Rasti i kaloi prokurorisë. Pas këtij rasti, absurdi është thelluar, pasi bashkë me drejtoreshën, është pezulluar edhe mësuesja denoncuese dhe viktimë e dhunës së saj.
Edlira Spahiu: Që të nesërmen më komunikon Zyra Arsimore pezullim nga detyra. Kërkoj arsyen, arsyeja ishte urdhër nga Ministria, por arsye nuk m’u dha. Në datën 25 ishte mbledhur komisioni i disiplinës në shkollë, pa prezencën time, pa dijeninë time dhe komisioni kishte marrë masë “paralajmërim për pushim nga puna”. U habita për masën.
Gazetarja: Cili është motivacioni?
Edlira Spahiu: Motivacioni, shqyrtojnë ankesat e drejtoreshës që ka mbledhur nga data 4 Nëntor e në ditët në vazhdim. Prezenca juaj në shkollë, ata e marrin si precedent që ju kam futur unë, por media ka të drejtë të hyjë kudo, nuk ju futa unë.
Gazetarja: Po ndaj drejtoreshës, zonjës Adelina, çfarë mase është marrë?
Edlira Spahiu: Ndaj drejtoreshës është marrë masa “pezullim nga puna” deri në zbardhje të çështjes gjyqësore.
Gazetarja: Është zëvendësuar titullari i shkollës?
Edlira Spahiu: Po, është zëvendësuar.
Edlira Spahiu: Nga një mësues i shkollës, zoti Asllan Hajdini, i cili në datën 25 ka mbledhur komisionin e disiplinës dhe vetë është kryetar komisioni, pa praninë time.
Gazetarja: S’të ka njoftuar ty?
Edlira Spahiu: Nuk më ka njoftuar mua, por pa praninë time është mbledhur komisioni dhe mua më është dhëna masa “paralajmërim për pushim nga puna”. noa.al