“Është e vështirë ta kalosh. Shumë! Sidomos kur sheh se të gjitha dyshimet e tua janë të vërteta. Je i rraskapitur, por jo mjaftueshëm për të mos dashuruar më! Ndodhesh në një rrugë pa krye, të dyanshme, të mbushur me pengesa nga më të ndryshmet të cilat as nuk do t’i kalosh, por vazhdon qëndron. I ngopur deri në grykë me zhgënjime, me njerëz me gjuhën e vetme të cilën dinë mirë ta flasin, atë të braktisjes, por nuk tërhiqesh. Pa prindër, pa të afërm dhe tani pa dashuri. Jeta vazhdon. Ke rënë në garën e maratonës dhe nuk ngrihesh, preferon të tërhiqesh dhe nuk e bën. Do vazhdosh thellësisht të trishtohesh nga brenda, të jetosh me fytyrën e vrenjtur, me kokën e ulur, por nuk mjafton mos marrësh frymë. E do këtë dreq jete njeriu plot dhimbje. Ke edhe frikë ku do përfundosh nëse zgjedh të mbyllësh sytë. Frikë e drejtë e cila të shpëton. Duhet të vazhdosh çdo ditë të jetosh nga mëngjesi në darkë pavarësisht gjithçka e pa e kuptuar arsyen pse, pa e ditur pse, por e rëndësishme të vazhdosh sepse ndryshimi do vijë. Duhet ta bësh. Hidh edhe makiazhin e lolove, buzëqeshjen e jashtme mbuluar në pikëllimin e brendshëm nëse e sheh të nevojshme. Vish buzëqeshjen e kotë, por vazhdo. Kur shpirti të ndiejë vërtet shakatë e qetësia do vijë, vetmia do rikthehet në një shteg të cilën e di vetëm ajo, por vazhdo. Do hyjë e do tallet me ty, nuk ka rëndësi, vazhdo. Mungesa e saj do bashkohet me vetminë, si zonja të rënda do ulen para teje duke pirë një gotë. Nuk do jetë verë, por gota jote e lumturisë. Do e pinë, do shpëlajnë gojën dhe do e pështyjnë poshtë sikur të jetë lëng pa vlerë. Do qeshin para teje dhe do të tregojnë me gisht, por ti sado i lidhur, i prangosur, vazhdo. Beso arratisjen. Le të tallen, le mos ketë hero të të nxjerrë nga kjo mynxyrë për të përtharë kujtimin dhe shuajë vizionin dashakeqës. Do besosh se nuk ka forca të të largojnë, as shpresë, as ndjesi-përjetimesh të reja me një kohë kujtim-zhdukëse, por jo, gjepura. Mos e beso. Lufto. Mos u tërhiq asnjëherë nga jeta pavarësisht gjithkujt dhe gjithçkaje. Lufto. Do ia dalësh. Palosja e kujtimeve një mbi një nuk të largon, por ti vazhdon dhe prit. Zgjedhja e vetme e duhur nëse do presësh. Shpëtimtari do vijë. Ka dritë në fund tuneli dhe, nëse mungon, dil nga hyrja. Ka gjithmonë zgjidhje.”
Shkëputur nga romani j
Juljan P. Abrashi
Jeto I Lumtur