
Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Një 54-vjeçare ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Gjirokastër, nën akuze për transport të paligjshëm emigrantësh.
Mësohet se e arrestuara është Floranda Obzova, e cila u ndalua në zonën e quajtur “Ura e Kardhiqit”.
Fillimisht ajo ka tentuar t’i largohet policisë, pasi iu bë shenjë që të ndalonte, por më pas policia ka arritur ta ndalojë.
Në mjetin e saj tip “Mercedes Benz”, ajo kishte fshehur 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët ishte duke i transportuar drejt kufizimit me Greqinë, kundrejt përfitimit monetar.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Road Guard 45”.
Transportonte 3 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 54-vjeçarja.
Sekuestrohen 1 automjet, 1 aparat celular dhe një shumë parash.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Road Guard 45”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetases F. O., 54 vjeçe, banuese në Finiq.
Në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Mercedes Benz”, me drejtuese shtetasen F. O., e cila nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por është larguar me shpejtësi.
Pas ndjekjes dhe ndalimit të automjetit nga shërbimet e Policisë, rezultoi se shtetasja F. O. ishte duke transportuar me automjetin tip “Mercedes Benz”, 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, 1 aparat celular dhe një shumë parash.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.