JiL.al - Jeto i Lumtur

Fetah Marra del në gjyq për vrasjen e Fatime Sulit, familjarët e viktimës: Nuk është ai, ja kush është autori

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Merr lajme ekskluzive  

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë  duke klikuar këtu

Vrasësi i 63-vjeçares Fatime Suli në fshatin Kozare, Fetah Marra është paraqitur sot në Gjykatën e Beratit, ku ishte caktuar se do të zhvillohej seanca paraprake ndaj tij.

Familjarët e viktimës 63-vjeçe kanë kërkuar nëpërmjet avokatit të tyre rikthimin e dosjes në Prokurorinë e Beratit për hetime të mëtejshme.

News 24 raporton se familjarët e të ndjerës kanë qenë të pakënaqur me hetimet pasi pretendojnë se bashkëpunëtor në vrasje me Fetah Marrën ka qenë edhe komshiu i tyre Izet Marra, për të cilin viktima u kishte thënë se e ngacmonte seksualisht prej muajsh.

I pranishëm në seancën paraprake ishte edhe i dyshuari i familjes Suli, Izet Marra, i cili është thirrur thjesht për dhënien e deklaratave të rreme në prokurori, ndërkohë që familjarët e akuzojnë  si bashkëpunëtor në vrasje.

Avokati i familjes Suli, Ramiz Oboni, ka deklaruar se kërkesa e tyre që kjo çështje të mos kalonte për gjykim por të rihetohej, ishte argumentuar me pretendimin se: hetimet kanë qenë të cekëta dhe për rrjedhojë organi i akuzës ka arritur në përfundimin e gabuar në lidhje me shtetasin Izet Marra.

Avokati Oboni ka deklaruar se, Izet Marra ka qenë në dijeni për krimin e kryer përpara se ky fakt të pranohej nga autori Fetah Marra.

Avokati ka shtuar më tej se kjo gjë është provuar edhe nga përgjimet ambientale të desktriptuara në dosjen hetimore dhe për këtë arsye Izet Marra duhet të merrej i pandehur për “moskallëzim krimi”.

Dalja e Izet Marrës nga salla e gjyqit ka rritur tensionet dhe përplasjet nga ana e familjarëve të viktimës. Ata kanë tentuar t’i afrohen makinës së policisë së burgut për ta qëlluar, por janë mbajtur dhe ndaluar nga efektivët e policisë të forcave “Shqiponja”.

Vëllai i viktimës Ramadan Sefa dhe motra e viktimës File Marra kanë deklaruar se vrasësi i motrës së tyre është Izet Marra dhe jo Fetah Marra. Sipas tyre, Fetahu e ka marrë përsipër fajin pasi është pa familje. Familjarët e viktimës Fatime Suli kanë deklaruar se ata do të bëjnë vetëgjyqësi ndaj Izet Marrës.

Ngjarja

63-vjeçarja Fatime Suli u vra mbrëmjen e 20 Janarit 2022 në tokën e saj në fshatin Kozare në Kuçovë. Ajo u gjet e vdekur në një kanal, gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar me gjethe e rrozga.

Familjarët e saj e kishin kërkuar prej disa orësh dhe pasi nuk e kishin gjetur kishin njoftuar për ndihmë policinë. Vetëm pas rreth 1-orë kërkimesh, gruaja 63-vjeçe u gjet në një kanal, rreth 1 km larg banesës saj.

Vrasësi i saj Fetah Marra e ka pranuar tashmë krimin dhe ka deklaruar se viktima i kishte 60 mijë lekë borxh nga mbarështimi i tufës së bagëtive.

Në dëshminë e tij, autori Marra ka thënë se kishte shkuar në arën e Fatimes për të kërkuar borxhin dhe se ishte i pirë kur e ka kapur për fyti dhe ajo ka ndërruar jetë në duart e tij.

Viktima Fatime Suli kishte probleme të shëndetit mendor dhe trajtimi i saj me ilaçe ka vazhduar çdo ditë, deri në ditën që gjeti vdekjen./OraNews

Scroll to Top