“Fiks Fare”/ Djali i policit plagos të riun 13 herë me thikë, Policia e Korçës nuk e arreston!

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

“Fiks Fare” denoncoi një skandal që përfshin Policinë e Korçës, e cila nuk ka arrestuar djalin e një polici, megjithëse kishte qëlluar një person plot 13 herë me thikë.

Merr lajme ekskluzive  

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë  duke klikuar këtu

Ngjarja ka ndodhur në datën 3 dhjetor 2022, në zonën e Pazarit. Viktima Bledar Asllani është plagosur nga autori Petrika Ropi.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankuar Bledar Asllani, i cili në momentin që grupi i xhirimit shkoi në Korçë, ndodhej në Spitalin Rajonal. Ai tregon se në datën 3 dhjetor ka qenë duke punuar në një lokal në zonën e Pazarit. Fillimisht ka shkëmbyer fjalë me autorin Petrika Ropi, të cilin e kishte në lagje. Më pas, Petrika e ka qëlluar në kokë disa herë.

Madje, për këtë ngjarje disponon edhe një video, ku duket vetëm momenti që autori Petrika Ropi e ka shtyrë dhe qëlluar me grushte. Por, edhe i dëmtuari ka pasur një send metalik në dorë dhe e ka qëlluar në dorë dhe në kokë, por s’e ka dëmtuar. Më pas Bledari është larguar dhe disa momente më vonë ka shkuar për të sqaruar situatën. Por, në momentin që ka shkuar te Petrika, ky i fundit ke pasur një thikë dhe e ka qëlluar vazhdimisht. Bledari thotë se ka 13 plagë të shkaktuara nga thika, por ai e ka qëlluar vazhdimisht.

“Mendova se më vrau. Më qëllonte pa pushim. Mendova kaq e pata, iku jeta. Më ka goditur në krahë, këmbë, poshtë në ije. Gjithandej. Më pas erdhën disa shokë dhe më dërguan në Spitalin Rajonal të Korçës, ku dhe ndodhem aktualisht” thotë ai.

Më tej pohon se ka kërkuar ndihmën e Fiks Fare pasi Policia e Korçës s’ka bërë asnjë veprim. “Autori lëviz i lirë, kurse unë jam ende në spital. Dyshoj se e mbrojnë, se ai ka babanë polic. Babai i tij quhet Arqile Ropi, është inspektor zone. Kërkoj që të veprohet, pasi edhe mjeko ligjori erdhi dhe vetëm sa më pa. Asnjë gjë më tepër. Autori lëviz i lirë, s’ka asnjë masë, megjithëse me qëlloi 13 herë me thikë” përfundoi Bledari.

Fiks Fare ka mësuar se autori Petrika Ropi nuk ka asnjë masë sigurie, madje nuk është ndaluar apo arrestuar, pavarësisht se Bledari ndodhet prej disa ditësh i shtruar në Spitalin Rajonal të Korçës. Gazetarët e Fiks Fare e filmojnë autorin, Petrika Ropi, në një lokal në qendër të Korçës, duke vijuar i qetë punën. Madje, duke ruajtur sigurinë e atij lokali, pavarësisht se disa ditë më parë kishte ndodhur një plagosje.

Pas këtyre pamjeve, familjarët e Bledarit interesohen në Policinë e Korçës për ngjarjen e 3 dhjetori. Ata takojnë një punonjës dhe kërkojnë informacion se çfarë është bërë me autorin. Polici u thotë se autori po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa mëson se edhe babai i autorit, është punonjës policie në atë komisariat.

Gazetarët e Fiks Fare shkojnë për të pyetur drejtuesit e atij komisariati, se përse nuk kanë vepruar për ndalimin, arrestimin e autorit. Një punonjës policie kontakton me Shefin e Komisariatit, Gentian Diko. Shefi thotë se ditën e ngjarjes autori Petrika Ropi nuk është arrestuar dhe është shpallur në kërkim policor. Pra, jo në kërkim, por në kërkim policor, ku edhe një dëshmitar që ka informacion për ngjarjen mund të shpallet me këtë masë ndalimi. Gazetarët e pyesin se përse jo në kërkim, madje policia të plotësonte dokumentet dhe të dërgohej për masë sigurie në gjykatë. Shefi thotë se është biseduar me prokurorin e gatshëm dhe ai ka vendosur në këtë mënyrë. Pyetjes se përse ky veprim, pasi i dëmtuari është qëlluar 13 herë. “S’kishin informacion për dëmtime të rënda” pohon ai, por kur pyetet nëse ka dalë apo jo raporti mjeko-ligjor përgjigjet “jo akoma”.

Pra, megjithëse i dëmtuari është qëlluar 13 herë me thikë, sërish autori nuk është arrestuar. Nuk ka dalë para gjykatës për masë sigurie dhe hetohet në gjendje të lirë, pa asnjë masë shtrënguese.

Scroll to Top