Gazetarja Klodiana Lala mbrëmjen e sotme ka dhënë detaje lidhur me sulmin ndaj Sali Berishës nga 31-vjeçari Gerti Shehu, i cili e goditi me grusht.
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Ajo deklaroi në emisionin “Open” se pas një komunikimi që pati me Erzen Breçanin, i cili ishte dhe personi që neutralizoi autorin dhe më pas e largoi atë nga turma për të mos e dhunuar, i ka komunikuar dhe bisedën që ka pasur me të.
Breçani e ka pyetur: Çfarë kishe me Berishën, pse e godite?
Ndërsa i riu mësohet se i ka thënë: Ishte për t’u bërë.
Ajo ka thënë se nuk është konfirmuar nëse agresori Gerti Shehu ka pasur një dorezë hekuri apo një tjetër hekur në dorë në momentin që ka goditur ish-kryeministrin.
Sipas saj Shehu ka precedentë të mëparshëm penalë për plagosje në gushtin e këtij viti dhe për posedim të lëndëve narkotike kanabis në të kaluarën, ndërsa shtoi se nuk rezulton që ai të jetë një agjent i policisë kriminale.
Sakaq, ajo bëri me dije se agresori Shehu ndodhet në spitalin e traumës në kryeqytet nën kujdesin e mjekëve dhe se ende nuk i është marrë dëshmia mbi ngjarjen e sotme.
“Nuk ka konfirmim nëse Shehu ka pasur një hekur apo dorezë në momentin që ka goditur Berishën. Berisha më pas është ngritur në podium ndërsa agresori u dërgua në spitalin e Traumës ku ndodhet edhe momentalisht nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe nuk ka dhënë ende një shpjegim mbi ngjarjen.
Prokuroria ende nuk ka nisur një hetim të imtësishëm për agresorin, i cili raportohet se ka precedentë të mëparshëm për plagosje në gusht të këtij viti dhe për posedim të lëndëve narkotike kanabis.
Faktet janë se Shehu nuk rezulton të jetë agjent i policisë kriminale sipas të dhënave të marra nga News24. Nga familjarët e tij është dorëzuar një diagnozë ku ai vuan nga çregullime psikotike.
Shehu është edhe agresor por edhe i dëmtuar pasi u dhunua pasi goditi Berishën. Duhet theksuar se policia ka këqyrur të gjitha regjistrat në poliklinikat që ai ishte regjistruar për të parë nëse ka marrë mjekimet për çrregullimet që pretendohet se ka. Nuk rezulton se ai është polic i policisë së shtetit”, tha ajo.