Shefki Kurti është i moshuari shqiptar që u gjend i pajetë dhe i masakruar në një kanal në provincën ku ai banonte në Itali.
Ishin banorët e zonës të cilët kanë gjetur mbetje të ndara në disa thasë dhe më pas kanë lajmëruar Policinë, ndërkohë që zhdukja e tij ishte denoncuar rreth tri ditë para se të gjendeshin pjesët e trupit.
Policia dhe prokuroria italiane janë shokuar kur janë përballur me skenën e krimit, ndërkohë që kanë kërkuar ndihmën e komunitetit t‘i ndihmojnë të hedhin dritë mbi atë vrasje të rëndë.
Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Policia italiane është befasuar kur ka mësuar nga ekspertiza mjekoligjore që ka treguar se vrasja e Kurtit mund të kishte ndodhur së paku një javë para se të gjendej trupi. Ata duke bërë përllogaritjet e kohës kur është kryer denoncimi i familjarëve për humbjen e tij, kanë konstatuar se bëhet fjalë për të paktën 3 ditë me vonesë të denoncimit.
Policia dhe prokuroria kanë mundur të marrin dëshmitë e familjarëve të viktimës, të cilët pritet të japin detajet e rëndësishme për hetimin, por pa treguar ende detaje nga këto dëshmi.
NGJARJA DHE DYSHIMET
Sipas të dhënave, Shefki Kurti, 72 vjeç, banonte në zonën e Ravigos bashkë me familjen e tij, gruan dhe dy fëmijë të rritur. Ai është zhdukur disa ditë më parë dhe trupi u gjend në një kanal në afërsi të lumit Adigetto, lum që kalon pak metra larg zonës në të cilën banonte familja Kurti.
Nga hetimet paraprake, nuk bëhet me dije që familja të ketë qenë ndonjëherë problematike e aq më tepër viktima. Referuar të dhënave të Policisë, dyshimet e para bien mbi ndonjë vrasës serial, pasi vetëm pak kohë më parë, në zonë u shënua një tjetër krim thuajse identik me vrasjen e Kurtit.
Policia dhe prokuroria italiane nuk kanë mundur ta zbardhin atë ngjarje duke iu rikthyer në momentin kur janë përballur me aktin horror të vrasjes dhe të masakrimit të trupit të burrit shqiptar.
Autoritetet hetimore prej ditësh kanë kërkuar ndihmën e komunitetit mbi gjithçka dinë mbi atë ngjarje, duke iu kërkuar që të tregojnë nëse dikush e ka parë Kurtin në momentet e fundit.
Po ashtu janë sekuestruar me dhjetëra kamera në zonë dhe janë marrë me dhjetëra dëshmi të personave që kanë lidhje me familjen Kurti, por deri mbrëmjen e djeshme, nuk është bërë me dije të jetë shoqëruar ndonjë i dyshuar.
Po ashtu, grupi hetimor, pas hapjes së dosjes së një tjetër vrasjeje të ngjashme, ka nisur krahasimet e të dhënave, duke lënë të dyshohet për ndonjë serialkiller që mund të gjendet në zonë, por pa përjashtuar për asnjë moment edhe ndonjë akt brenda njerëzve të afërt të viktimës.
burimi lajmifundit.al/