Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi këtë të mërkurë të lerë në fuqi dënimin me 1 vit e 3 muaj burg ish-zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Në Prill të vitit që lanë pas, ajo u dënua nga Gjykata e Posaçme së bashku dy të pandehurat e tjera, Florida Beu dhe Majlinda Hasani. Apeli konfirmoi dënimin edhe për këto dy të fundit.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar shkoi në 10 muaj burg, megjithatë 3 të hetuarat kanë qëndruar që prej korrikut të 2021, në masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe konvertimi i ditëve çoi në shmangien e qëndrimit në qeli.
Voda u arrestua pas disa përgjimeve telefonike dhe ambientale ku rezultoi se kishte pranuar disa dhurata në formën e një telefoni, një arke me peshk dhe 1 mijë euro, për të ndikuar në sigurimin e një vendi pune për Florida Beun.
Në përgjime Beu dëgjohej duke biseduar me Majlinda Hasanin për të gjithë procesin e dhënies së dhuratave për ish-zëvendësministren. Vetë Voda i ka mohuar akuzat e Prokurorisë dhe pretendoi para gjykatës pafajësi, duke argumentuar se nuk provohej asnjë pretendim.