Kaos në rrugët e kryeqytetit të Maqedonisë, rreth 100 autobusë bllokojnë të gjitha udhëkryqet e Shkupit

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Merr lajme ekskluzive  

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë  duke klikuar këtu

Rreth 100 autobusë të shoqatave të transportuesve privatë kanë bllokuar përsëri të hënën të gjitha udhëkryqet e Shkupit, duke shkaktuar kaos në rrugët e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut.

Transportuesit po kërkojnë që t’u paguhet borxhi i rreth dy milionë eurove, të cilin, siç thonë ata, ua ka Ndërmarrja e Transportit Publik, përkatësisht Komuna e Shkupit.

Kjo është bllokada e dytë brenda një jave, ndërkohë që transportuesit thonë se e njëjta mund të përshkallëzohet me dyfishimin e numrit të autobusëve – rreth 200 – të cilët do të bllokonin qytetin.

“Bllokadat janë paralajmërim për ndërgjegjësimin e institucioneve se nuk do të heqim dorë nga kërkesat tona. Katër muaj nuk kemi marrë paga.

Gjendja e shoferëve është e rëndë pasi nga kjo punë ata mbajnë familjet e tyre. Drejtuesit e Shkupit po tallen me ndjenjat tona por ne këtë nuk do ta lejojmë”, ka deklaruar Lenin Jovanovski, kryetar i shoqatës së transportuesve privatë “Slloboda Prevoz”.

Bllokimi i udhëkryqeve ka shkaktuar pakënaqësi në mesin e qytetarëve, të cilëve u është pamundësuar t’i kryejnë obligimet ditore.

Nga shoqata e transportuesve thonë se kuptojnë revoltën e qytetarëve, por kërkojnë mirëkuptimin e tyre, pasi kjo formë e protestës, sipas tyre, është mënyra e vetme për të realizuar kërkesat që kanë.

“Qytetarët nuk mund të na kritikojnë neve, duhet ta kritikojnë burimin e këtij problemi, që është kryetarja e Shkupit, e cila e ka lejuar këtë gjendje. Qytetarët nuk duhet të lejojnë që të kenë një kryetare të tillë që nuk i intereson – interesi i tyre”, tha Jovanovski.

Përplasjet mes transportuesve privatë dhe Komunës së Shkupit kanë nisur tash e një kohë për shkak të akuzave për shpërdorim të fondeve.

Por, kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, tha se problemi qëndron te transportuesit, respektivisht shoqata, e cila sipas saj nuk ka dorëzuar asnjë dokumentacion mbi paratë e shpenzuar apo fatura mbi transportin e kryer.

Arsovska pretendon se që nga viti 2017 deri në vitin 2022 kjo shoqatë nuk ka raportuar asnjë biletë të shitur në autobusët që lëvizin në linjat e qytetit.

“Bëhet fjalë për miliona para të qytetarëve që dikush i ka futur në xhep”, ka deklaruar ajo.

Transportuesit privatë që qarkullojnë në rrugët e Shkupit nuk marrin para të gatshme nga pasagjerët, pasi çdo biletë regjistrohet në sistemin elektronik që është i lidhur me institucionet e Komunës së Shkupit.

Ajo tha se kontrata me transportuesit privatë është anuluar dhe se nuk tërhiqet nga vendimi, teksa zgjidhjen e problemit e sheh në shpalljen e konkursit ku “mund të marrin pjesë të gjithë transportuesit në mënyrë individuale”.

Por shoqata konkursin e vlerëson të jashtëligjshëm dhe përpjekje të kryetares së Shkupit për përçarjen e tyre.

Situata me transportuesit privatë ka shkaktuar edhe përplasje mes partive politike.

Danella Arsovska është zgjedhur kryetare të Shkupit si kandidate e pavarur, por me mbështetjen edhe të partisë opozitare, VMRO DPMNE.

Por, tani dy muaj raportet e saj me opozitën maqedonase janë ndërprerë dhe VMRO-ja e akuzon Arsovskan për bashkëpunim me partitë në pushtet, si dhe e akuzon se kaosin po e shkakton për t’ia faturuar VMRO DPMNE-së./REL

Scroll to Top