JiL.al - Jeto i Lumtur

Largohen barrikadat në veri të Kosovës

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Merr lajme ekskluzive  

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë  duke klikuar këtu

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe Policia e Kosovës i kanë larguar më 3 janar barrikadat e krijuara me kamionë, te vendi i njohur si Shkëmbi i Dudës, në Mitrovicën e Veriut.

Ura, e cila ishte e bllokuar atje prej ditësh nga serbët lokalë, tashmë është liruar për qarkullim, raporton reporterja e Radios Evropa e Lirë nga vendi i ngjarjes.

KFOR, i cili të martën njoftoi për zhvillimin e “operacioneve inxhinierike” në veri të Kosovës, për të hequr automjetet që ende po i bllokonin rrugët, ka kryer bartjen e kamionëve të larguar nga rruga.

Kamionët në këtë lokacion në Mitrovicë të Veriut ishin djegur më 29 dhjetor.

Në njoftimin e KFOR-it në Twitter u tha se operacioni për largimin e automjeteve të bllokuara në rrugë po bëhej për të rikthyer lirinë e lëvizjes në atë zonë.

Për 20 ditë me rradhë, në dhjetor të vitit 2022, në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, u vendosën barrikada në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi.

Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, i cili, sipas autoriteteve të Kosovës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri

Por, serbët vendosën të heqin barrikadat pasi Dejan Pantiqit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Po ashtu, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, gjatë një takimi në Rashkë të Serbisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 28 dhjetor deklaruan se kanë marrë garanci që kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin./ R.E.L

Scroll to Top