JiL.al - Jeto i Lumtur

Luiz Ejlli: Hero i keqkuptuar apo ‘mashtrues’ i kthyer në hero?

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Disa ruanin një kujtim të ngrohtë për Luiz Ejllin falë pjesëmarrjes në “Eurovision” në 2006, apo triumfit në “Kënga Magjike” në 2010 me Juliana Pashën. Të tjerë e njohën në “Big Brother VIP” pjesë e të cilit ai është bërë prej dy javësh.

Gjithsesi, mbrëmjen e djeshme Luizi ndryshoi totalisht imazhin që publiku kishte për të. Është e vërtetë që shumë personazhe luajnë kartën e “Big Brother VIP” në kërkim të një përmirësimi në karrierën e tyre apo synimi që mund të kenë, por është gjithashtu e vërtetë që shpesh ai reality-show mund të kthehet në një thikë me dy presa, dhe në rastin e Luizit duket se ndodhi pikërisht kjo. Në “Big Brother Vip” ai thotë se kishte hyrë për të fituar simpatinë e publikut me anë të batutave, energjisë dhe karakterit dinamik, por u deshën shumë pak minuta për të krijuar një “zallamahi” tek i gjithë publiku. Eh, kjo është fuqia e reality-showt në gjithë botën, përfshirja “në palcë” e audiencës.

• Cilat janë pikat kritike të historisë së treguar prej tij?

Sigurisht e para është rrëfimi herë në vetëm e parë dhe herë në vetën e tretë – gjë që solli një konfuzion tek banorët, shikuesit dhe jo vetëm. “Shkova për kontroll dhe më thanë. Kam për të ikur në gusht në Bermago të shtrohem. Thonë që është sëmundje e rrallë, 11 klinika janë në botë për këtë. Njëra që jam interesuar ishte e zënë deri në gusht…”-tha ai në rrëfimin përballë Kiarës, para se ta kalonte në vetën e tretë në fund të rrëfimit.

Prej këtu vijmë në pikën tjetër që është ndryshimi i versioneve. Nëse nga ajo që i Kiarës kuptuam se ai ishte sëmurë, në dhomën e rrëfimit, Luizi tha se i gjithë rrëfimi i bërë është historia e një shoku, të cilin do ta ndihmojë me paratë e fituara nga çmimi i madh. “Vjen një moment që njeriu do të flasë dhe për njerëz të tjerë, jashtë shtëpisë, pa thënë emra.”

Dhe versioni tjetër ishte se e tregoi historinë sepse ishte i frikësuar për shëndetin e tij sepse kishte hasur të njëjtat simptoma si shoku i tij. “Pata simptoma të ngjashme me atë të mikut tim dhe më kapi frika…”

Megjithatë, këtë e pason nga një tjetër rrëfim kontravers, duke thënë se nuk do të shihet si një i sëmurë dhe të mëshirohet: “Nuk dua që njerëzit të më shohin nga ai Luizi që qesh, që bën batuta dhe që më pëlqejnë për lojërat e mia, në atë Luizin që e ‘mëshirojnë’.”

• Pse njerëzit ende e besojnë Luizin?

Është shumë e thjesht për të kuptuar se Luizi pavarësisht pikëpyetjeve të krijuara gëzon ende popullaritet të madh. Mjafton të lexosh perceptimet në mediat sociale. Kjo pasi njerëzit (që e mbështesin) besojnë se ai është me të vërtetë sëmurë ose ka një arsye shumë të fortë që e ka rrëfyer atë histori. Madje, sot në shtëpinë e “Big Brother” kanë mbërritur dy drone për të.

Dritëhijet mbi këtë histori janë shtuar pasi Luizi ka bërë disa deklarata edhe më të çuditshme pasi kreu analizat në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” dhe nuk rezultoi të kishte asnjë sëmundje që kishte nevojë për kurë specifike, sipas mjekes.

Ai u është drejtuar banorëve duke u thënë: “Kurdo që të dalim nga kjo shtëpi, unë një ditë do ju takoj sepse e kam detyrimin moral që tua shpjegoj fjalë për fjalë.”

Në një tjetër bisedë me Kejvinën dhe Tean, Luizi lë të nënkuptuar se nuk do dhe nuk mund të flasë më shumë, madje shprehet: “Mjekes i lejohet të thojë një pjesë për sëmundjen time. Nëse është nga A-ja te Zh-ja, u lejohet të flasin deri te Ll-ja. Pjesën tjetër nuk munden. Pjesët që kanë miratimin tim, e di unë. Pjesën që kishte ajo të drejtë ta thoshte”. Sërish drejtuar Teas, ai thotë “mos më bëj të flas më se më vihen edhe prangat kur të dal jashtë. Meqë je dhe juriste, i di vetë” sepse, shton më tej, “nuk bën me shkel ligjin”.

• Pyetja më e madhe që po i mundon të gjithë është: Pse dikush mund të gënjejë se ka një sëmundje të rëndë në radhë të parë?

Njerëzit gënjejnë sepse funksionon shumë herë, sipas psikologëve. Vetëbesimi i tepruar, naiviteti dhe thjesht moskujdesi mund të kenë qenë faktorë në rrëfimin e Luizit.

Njerëzit zakonisht gënjejnë se kanë një sëmundje serioze në veçanti sepse kjo u jep atyre simpati, vëmendje dhe keqardhje. Ata kanë nevojë për kujdesje dhe kërkojnë më shumë mbështetje nga njerëzit përreth. Gënjeshtra për tejkalimin e sëmundjes mund të krijojë gjithashtu një ndjenjë kontrolli në jetën e tyre dhe t’i ndihmojë ata të fitojnë respektin e njerëzve të tjerë.

Madje sipas ekspertëve gënjeshtrat e tyre mund të zgjasin për një kohë pasi është e lehtë për njerëzit që të mbështillen me fantazinë e tyre dhe ta bëjnë atë realitet.

• Pse një histori e tillë nuk mund të shfrytëzohet nga askush në një televizion?

Njerëzit që vuajnë nga çdolloj sëmundje në përgjithësi dhe nga sëmundjet e pashërueshme në veçanti nuk mund të lejohen në asnjë mënyrë të bëhen objekt argëtimi në një reality-show. Thënë kjo, Luizit nuk i lejohet të sjellë historinë e shokut të tij, por as të gënjejë duke krijuar një tjetër, duke shkaktuar ankth, rëndim emocional e psikologjik te banorët por edhe te publiku. Ashtu, siç nuk i lejohet një produksioni të tillë të shfrytëzojë këtë histori për audiencë.

Televizioni ka një rol pedagogjik-popullor. Është kulturë, ashtu siç janë kulturë muzika, librat dhe rrjetet sociale. Nuk është e vërtetë që argëtimi i papërgjegjshëm është “një gjë e vjetër me të cilën jeni mësuar prej kohësh”. Detyra e atyre që përgatisin materialin që do të transmetohet me muaj të tërë është të shoshitin përmbajtjen centimetër pas centimetri. Janë zgjedhje të menduara. “I papërgjegjshëm” është dikush që nuk vlerëson pasojat e zgjedhjeve të tij. A i ka vlerësuar dikush pasojat e kësaj zgjedhjeje?

• Cila do të kishte qenë një mënyrë e zgjuar për të treguar këtë histori?

Nëse Luizi me të vërtetë vuan nga një sëmundje e tillë, ndarja e saj me publikun dhe pranimi nga ana e tij, nuk do e mëshironte dhe as do e bënte të pabarabartë në sytë e publikut. Përkundrazi. Do shihej si një model dhe formë kurajoje për këdo që po kalon një sëmundje të tillë. Sigurisht, jemi dëshmitarë të shumë rasteve kur sëmundjet i gjunjëzojnë jo vetëm fizikisht por edhe mendërisht viktimat. Dhe nëse kjo ka ndodhur në rastin e Luizit dhe historia nuk po trajtohet si duhet atëherë topi është në fushën e produksionit. Nëse Luizit nuk i lejohet të flasë siç pretendon një pjesë e publikut, ai mund të vazhdojë të shihet si hero nga njerëzit për forcën e treguar.

Por, nëse Luizi po kërkon ndihmë për mikun e tij ai mund të merrte ndihmë falë “GoFoundMe” platforma online e bamirësisë, përmes së cilës janë ngritur kauza të pabesueshme që kanë marrë ndihmë nga mijëra njerëz dhe padyshim janë shpëtuar jetë.

Shumë është thënë, por njerëzit ende kanë pyetje në kokë. A është Luizi një Hero i keqkuptuar? Apo një mashtrues që po kthehet në Hero? Apo thjesht një lojtar i një reality-show që situata i doli jashtë kontrollit? ËSHTË E KOMPLIKUAR…

Scroll to Top