Lulet e mollës – John Galsworthy
Hëna e artë sapo kishte dalë mbi kodër dhe vështronte me syrin e saj të mprehtë përmes rrjetës së errët të degëve gjysmë të zhveshura të frashërit. Nën drurët e mollëve ishte errësire dhe Eshersti u ndal aty ku bari ishte i pashkelur. Prapa tij levizi diçka e errët me një zhurmë të shurdhët dhe atë kohë ai vuri re tre derra të medhenj që u shtrinë pranë njëri-tjetrit, afër gardhit. Mbajti vesh të dëgjonte. Erë s’kishte, por gurgullima e përroit ndihej akoma më e fortë se ditën. Një zog që s’e shquante dot cicërinte papushim në mënyrë monotone: “Pip – pip…Pip – pip”; i zuri veshi klithmën e bufit dhe renkimin e hutinit. Eshersti bëri nja dy hapa përpara dhe persëri u ndal i habitur nga një dritë e bardhë që i ra mbi kokë. Nëpër pemët e qeta, të zhytura në errësirë, lulet dhe sythat e panumërt, të njomë dhe delikat, u gjallëruan nën dritën e magjishme të hënës që derdhej fshehurazi mbi to. Të gjitha këto i zgjuan atij një ndjenjë të çuditshme: iu bë sikur miliona flutura të bardha nate e miliona shpirtra fluturonin në hapësirën midis qiellit të errët dhe tokës së zezë sterrë dhe hapnin e mbyllnin krahët mu perpara syve të tij. I mahnitur nga kjo bukuri e heshtur e çastit, pa aroma, ai për pak harroi se përse kishte ardhur në kopsht.
John Galsworthy
Jeto I Lumtur.al