Mos u pezmato, fundja dhe unë njeri jam. Juljan P. Abrashi
E dashura ime, në jetë nuk kam frikë as nga mungesa e të mirave materiale, as nga mungesa e të mirave shpirtërore, as nga ndarja dhe as nga jeta. Frika e vetme është mos largohem nga dora e tij, dorë që nuk ndryshon. Mos u revolto, mos u pezmato. Nxirre dufin që ke, nuk përbën problem. Nxirri inatet që ke, bërtit e qaj nëse ke nevojë, por mos qëndro vetëm tek e qara. Mos më kërcëno, nuk gjen gjë, ç’ndodh, do ndodhë me lejen e tij. Mua ma do zemra të jem me ty sepse të ndiej, mbase jo sa ty, por të vlerësoj për atë që je. Mos harro se ti ishe zgjedhje midis dhjetrave, unë nuk isha zgjedhje për ty më shumë se isha dashuri. Ti veprove me zemër, unë me arsye. Ti rrjedhimisht pret pak nga unë, unë pres shumë. Njeriu bën gjithçka e tjetri nuk ndihet kurrë i kënaqur, bën mosgjë e tjetri nuk ndihet asnjëherë i pashpresë apo i dorëzuar. Absurditeti i mendimeve njerëzore.
Ti lufto sikundër ke luftuar, mos pretendo se unë nuk jam duke e bërë apo se jam i ndërtuar prej hekuri a çeliku. Nuk kam fjalë të shumta edhe pse jam i fjalës, por kam vepra. Veprat janë ndryshimi im, qetësia që më karakterizon. Ja, tani e sheh se po të jap fjalë. A të kënaqin fjalët? Ta kthejmë dashurinë tonë atëhere në fjalë, të bëjmë libra e poezi e të harrojmë njëri-tjetrin, ne që u ngjizëm në përplasje lufte për të qenë bashkë, e jo në dashuri platonike fëminore. Ti merre me qetësi, çdokush gabon. Mund të pretendosh se jam egoist, mund të jetë se jam vërtet i tillë, por sa herë më ke parë të mendoj për veten? Të marr atë ç‘ka kam për veten e jo edhe për të tjerët, t‘i harroj. Më ke pretenduar shumë herë se jam diçka, por kam dalë tjetër sepse une nuk jam libër me ilustrime, më sheh dhe më kuptove kush jam. Stomaku yt i mendimeve duhet të tresë shumë veprime dhe fjalë, pastaj ta gjykojë. Mos pretendo se jam i pashpirt, as edhe jo falenderues, as edhe humnerë moskënaqëse, jam njeri, prej mishi e gjaku, e si çdokush dua dashuri, buzëqeshje dhe paqe. Juljan P. Abrashi
Jeto I Lumtur.al