Natën e ndërrimit të viteve, një shkrimtar i madh, mori penën dhe nisi të shkruajë disa ngjarje të rëndësishme që i kishin ndodhur atë vit: Në këtë vit që po na lë, pata një ndërhyrje mjekësore për shkak të tëmthit dhe ndenja i ngujuar në shtrat për disa muaj. U plaka, jam gjashtëdhjetë vjeç dhe hoqa dorë nga profesioni në shtëpinë botuese ku punova për plot tridhjetë vite. Këtë vit më ndërroi jetë babai. Im bir nuk e mori dot një vit në fakultetin e mjekësisë për shkak të një ndodhie të keqe që pësoi me makinën e tij.
Në fund të letrës kishte shkruar: Eh çfarë viti i mbrapshtë! E shoqja iu afrua pranë dhe duke i qëndruar mbi supe lexoi atë që bashkëshorti kishte hedhur në letër. Krejt e qetë, ajo u largua nga dhoma dhe u kthye përsëri pas disa minutash me një letër në dorë të cilën e vuri përbri letrës së “telasheve” që i shoqi kishte shkruar. Ai e mori letrën e gruas e cila shkruante: Këtë vit që po na lë, u shërova nga dhimbjet që më shkaktonte tëmthi për shkak të të cilave kisha
vuajtur për vite me radhë. Tashmë i mbusha gjashtëdhjetë vjeç dhe falë Zotit gëzoj shëndet të plotë. Fakti që dola në pension, më ka dhënë më shumë kohë të lirë për tia dedikuar krijimtarisë dhe botimit të librave të rinj. Babai im jetoi plot tetëdhjetë e pesë vite dhe falë Zotit ndërroi jetë në paqe, pa vuajtje dhe pa dhimbje. Im bir pësoi një fatkeqësi, por falë Zotit shpëtoi mirë dhe u shëruar pa pasoja. Në fund, letra mbyllej me fjalët: Eh çfarë viti i mbarë!
Mësimi:
Në vend që të gërmosh dhe të ankohesh mbi telashet, mundohu të gërmosh për dobitë dhe mirësitë që ato “telashe” sollën në jetën tënde. E mira dhe e keqja nuk kanë fund, por për aq kohë sa gëzon shëndet dhe arrin ta shohësh diellin në mëngjes, mendoj që je aq mirë sa nuk ta pret mendja. Shpresoj shumë që të ju ketë pëlqyer ky tregim i parë, për mua ka qenë nga shkrimet më interesante që kam lexuar ndonjë herë. Po e mbyll këtë postim edhe me një tregim të fundit: Një ditë të bukur pranvere, mësuesja vendosi ta zhvillonte mësimin e ditës në natyrë, pranë oborrit të shkollës.
Pasi zunë vend të gjithë, mësuesja i kërkon njërit prej nxënësve të ngrihet dhe të dalë para shokëve duke i thënë: Ermir, të lutem shko e këpute atë fidanin atje. Ermiri, shumë i qetë shkoi dhe e këputi. “Aty qëndro dhe pak”, i tha mësuesja, “Tani dua që të këputësh atë fidanin atje, edhe atë atje edhe atë tjetrin atje”. Dhe kështu pa u munduar fare, Ermiri i këputi tëk e tëk e tëk dhe ia dërgoi mësueses. “Të lumtë Ermir”, vijoi mësuesja, “E shikon atë pemën atje në cep?
Dua të shkosh dhe ta këputësh ashtu si bëre me fidanët dhe të ma sjellësh këtu e t’ia tregojmë shokëve të tu.” Ermiri i habitur ia ktheu: Këtë nuk e bëj dot mësuese, as unë dhe asnjë prej nesh. Pema është e madhe, shiko sa të trashë e ka trungun, kushedi sa thellë i ka rrënjët ajo, besoj do ketë ja dhjetë vjet që është mbjellur. Nuk kam aq fuqi mësuese sa ta bëj këtë që po më kërkon. Mësuesja buzëqeshi dhe iu drejtua fëmijëve duke i dhënë këtë mësim:
Fidanët dhe pema janë si veset tona të mira dhe të këqia. Sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë të vështirë do ta kemi për ti ç’rrënjosur ato. Nëse i heqim veset e këqia që në fillim, do ta kemi aq të thjeshtë sa Ermiri me fidanët. Por nëse nuk i heqim dhe i mbajmë për një kohë të gjatë, atëherë ato do të lëshojnë rrënjë tek ne dhe do të jetë e pamundur për ti hequr, tamam si pema që kishte zënë rrënjë. Të shohim anën tjetër tani, veset e mira, nëse i ruajmë për një kohë të gjatë,
ato do të bëhen të shëndetshme si trungu i trashë i pemës dhe nuk do të mundet dot askush ti heqë prej nesh. Ju falenderoj përzemërsisht që më ndiqni dhe lexoni tregimet e mia miq. E vlerësoj shumë kohën që harxhoni, por më besoni, unë vërtet besoj se ia vlen të shpenzosh kohë duke lexuar. Faleminderit që më ndiqni dhe mos harroni këshillën tonë të famshme tashmë: mendjen në vend miq, mendjen në vend. Të tjerat rregullohen të gjitha. Por po të ikën pëllumbat, atëherë mbaroi filmi edhe seriali bashkë me të.